Ndalohen tre persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mes tyre një noter nga Vitia
Foto: Laura Hasani

Ndalohen tre persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mes tyre një noter nga Vitia

Kronika June 17, 2026 - 11:25

Prokuroria Themelore në Ferizaj, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka ndaluar tre persona të dyshuar për disa vepra penale që lidhen me “Keqpërdorimin e detyrës zyrtare”.

Sipas Prokurorisë, aksioni është realizuar pas zbatimit të një urdhri për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit të Departamentit për Krime të Rënda, për 48 orë janë ndaluar tre persona me inicialet A.S., noter nga komuna e Vitisë, I.M. nga Prishtina dhe F.N. nga komuna e Dragashit.

Ata dyshohen për veprat penale “Legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë në bashkëkryerje”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka bërë të ditur se ndalimi i tyre është rezultat i vazhdimit të hetimeve në një rast që ishte trajtuar më herët, ku ishin ndaluar edhe pesë persona të tjerë nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të pandehurve në këtë çështje penale, do të vazhdojë tutje me procedurat dhe veprimet e nevojshme ligjore”, thuhet në njoftim. /Zëri