Prokuroria deklarohet për plagosjen e një personi mbrëmë në Prishtinë
Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri, që kanë ndodhur mbrëmjen e 16 qershorit në rrugën “Feriz Guri” në Prishtinë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30, ndërsa viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Prokuroria ka deklaruar se menjëherë pas pranimit të informacionit, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe sigurimin e provave materiale në vendin e ngjarjes.
Nga hetimet e deritanishme, Prokuroria ka bërë të ditur se ekziston dyshimi se personi me inicialet N.B. ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.
“Gjatë veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani, dyshohet se personi me inicialet N.B., ka kryer veprën penale ‘Vrasje në tentativë’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, transmeton Zeri.info.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është kryer edhe një bastisje, ku Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë të gjatë, shtatë gëzhoja dhe 13 fishekë, të cilat do të përdoren si prova materiale në procedurën hetimore.
Ndërkohë, gjatë ekzaminimeve të kryera nga njësitet relevante, në automjetin e viktimës me inicialet Sh.K. është gjetur dhe sekuestruar një armë dhe 12 fishekë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në koordinim me Policinë e Kosovës, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe arrestimin e personit të dyshuar. /Zëri