Nga Gjermania ekstradohet i kërkuari për tentim vrasje dhe grabitje
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Gjermania në Kosovë, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe me institucionet e drejtësisë.
Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe autoritetet gjermane, ka sjellë në Kosovë të dyshuarin me inicialet RR.M., i cili kërkohej përmes letërreshtimit ndërkombëtar të INTERPOL-it.
I njëjti ishte arrestuar në Gjermani pasi ndaj tij ekzistonte një urdhër arresti nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, nën dyshimet për përfshirje në veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “grabitje”.
Autoritetet theksojnë se ai kishte shmangur më herët përballjen me drejtësinë.
Ekstradimi është kryer në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në bazë të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Gjermanisë.
Pas mbërritjes në vend, i dyshuari është dërguar në njësitet përkatëse të rajonit të Mitrovicës së Jugut, ku do të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.
“Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, theksohet në fund të njoftimit.