Policia në rajonin e Gjilanit shqipton 1.549 gjoba brenda një jave
Foto: Laura Hasani

Policia në rajonin e Gjilanit shqipton 1.549 gjoba brenda një jave

Kronika May 15, 2026 - 08:55

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe stacioneve policore, ka njoftuar se gjatë periudhës 08.05.2026 – 14.05.2026, në kuadër të zbatimit të planeve operative për siguri në trafik, janë shqiptuar gjithsej 1.549 gjoba.

Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë edhe aktivitete të tjera në terren, duke përfshirë hetimin e aksidenteve dhe shqiptimin e masave ndëshkuese për shkelje të ndryshme.

Policia ka bërë të ditur se janë hetuar dhjetë aksidente trafiku me dëme materiale dhe 14 aksidente trafiku me të lënduar. Po ashtu janë shqiptuar 11 gjoba për mospërdorim të rripit të sigurisë, pesë gjoba për përdorim të telefonit gjatë ngasjes dhe 24 gjoba për modifikim të automjeteve, përkatësisht vendosje të folieve të errëta.

Sipas njoftimit të PK-së, ndaj 42 ngasësve janë shqiptuar masa të ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje të gjithë ngasësve të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

“Shpejtësia nuk është krenari, por shkak i tragjedisë. Respektoni rregullat e trafikut, mos përdorni telefonin gjatë vozitjes, vendosni rripin e sigurimit dhe tregoni kujdes ndaj këmbësorëve, respektoni sinjalistikën dhe semaforët. Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në njoftimin e Policisë.