Arrestohet në Shqipëri i dënuari nga Gjykata e Pejës për vrasje
Policia e Shtetit ka finalizuar këtë të martë një operacion që ka çuar në arrestimin e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin drejt Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari është Anton Allakaj, ndaj të cilit Gjykata e Pejës ka caktuar një dënim prej 11 vjetësh e 6 muajsh burgim për veprën penale “Vrasja”. Nga ky dënim atij i mbeten për të vuajtur edhe 9 vjet e 8 muaj burg.
Gjatë momentit të ndalimit forcat e rendit bëjnë me dije se i janë gjetur dokumente identifikimi të dyshuara si të falsifikuara. Hetimet paraprake tregojnë se në këto dokumente ai përdorte edhe gjeneralitete të tjera, konkretisht emrat Naser Muja dhe Ded Dedaj.
Policia e Shtetit thekson se arrestimi është kryer në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar mes autoriteteve ligjzbatuese shqiptare dhe atyre kosovare, ndërsa procedurat për ekstradimin e tij tashmë kanë nisur.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.