Dhjetëra raste të dhunës në familje, keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi e bashkëjetesë me të mitur
Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka trajtuar 40 raste të dhunës në familje për një periudhë njëmujore.
Sipas kësaj zyre, nga 24 prilli deri më 30 maj të këtij viti, mbrojtësit e viktimave gjithsej kanë trajtuar 48 raste të ndryshme, duke përfshirë një për keqpërdorim të fëmijëve në pornografi, dy raste të vrasjes së rëndë dhe dy të tjera që kanë mbetur në tentativë.
Gjithashtu, sipas saj, është trajtuar edhe një rast i bashkëjetesës në moshën 16-vjeçare.
“1 rast – person i zhdukur, 1 rast – Shkelje e UM-së, 5 Kërkesa për Urdhër Mbrojtje (KUM) të parashtruara në gjykatë, 14 Kërkesa për Urdhër Mbrojtje Emergjente (KUME), 1 kërkesë për tërheqje të UM-së, 13 aktvendime të aprovuara, 1 aktvendim të tërhequr, 69 seanca gjyqësore, 12 seanca në prokurori, 57 këshilla juridike, 11 aktgjykime dënuese, 1 aktgjykim lirues, 1 aktgjykim refuzues, 3 deklarata mbi dëmin, 1 referim i rastit në QPS”, thuhet në njoftim.