Arrestohet personi që tentoi t’i sulmojë disa të tjerë në Prishtinë, deklarohen nga prokuroria
Foto: Laura Hasani

Arrestohet personi që tentoi t’i sulmojë disa të tjerë në Prishtinë, deklarohen nga prokuroria

Kronika April 27, 2026 - 17:31

Një person sot është arrestuar në Prishtinë, pasi ka tentuar të sulmojë disa persona në ceremoninë e prezantimit të muralit për nënën Ferdonije.

E zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës Kaltrina Shala në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është prokurori i Shtetit ka iniciuar rastin në drejtim të veprën penale “Sulm”.

Sipas saj, po ndërmerren të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje penale.

“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka inicuar rastin në drejtim të veprës penale ‘Sulmi’, nga neni 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i Shtetit është duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje penale”, ka thënë Shala.

Ndryshe, një person është arrestuar sot rreth orës 11:30 gjatë një ceremonie në rrugën “Dëshmorët e Kombit” pasi ka tentuar të sulmojë fizikisht disa persona.

Lajmin për Telegrafin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

Sipas tij, në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë zyrtarët policorë, të cilët kanë arrestuar personin e dyshuar.

“Sot, rreth orës 11:30, në rrugën 'Dëshmorët e Kombit' në Prishtinë, një person gjatë një ceremonie ka tentuar t’i sulmojë disa persona të tjerë. Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë zyrtarët policorë, të cilët kanë arrestuar personin e dyshuar. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, ka thënë Pllana.

Ndërkaq, sipas pamjeve të mediave prezente, ngjarja ka ndodhur gjatë prezantimit të muralit për nënën Ferdonije.