Një muaj paraburgim ndaj personit në Klinë, që dyshohet se vrau vëllain e tij
Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj Jetmir Jusufit, i cili dyshohet se ka vrarë vëllanë e tij, Faruk Jusufin, më 21 mars, në Bokshiq të Klinës.
Kështu ka mësuar Klan Kosova, që edhe ka siguruar dokumentin e gjykatës për masën e paraburgimit.
Lidhur me rastin dyshohet se gjithçka mes tyre nisi sot në oborrin e shtëpisë, ku mes vëllezërve ka pasur fjalosje, teksa viktima ka qenë duke punuar në oborr.
Gjatë fjalosjes viktima thuhet se është munduar ta shmangë vëllanë me mjetin që ka qenë duke punuar.
Më pas i dyshuari ka hyrë brenda shtëpisë, ka marrë armën dhe ka shtënë disa herë.
Në lidhje me këtë rast Policia njoftoi se është arrestuar i dyshuari, ndërkaq në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë dhe tri gëzhoja.
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:08, ndërsa i plagosuri është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Pejës, ku edhe ka vdekur. Në vend të ngjarjes janë sekuestruar një armë dhe tri gëzhoja, ndërsa është arrestuar një person”, thuhet në konfirmim.
Më pas, Prokuroria Themelore në Pejë bashkë me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë kanë dalë me një komunikatë të përbashkët në lidhje me rastin tragjik që ndodhi dje në Bokshiq të Klinës, duke bërë të ditur se i dyshuari ndaluar për 48 orë.
“Viktima është dërguar për në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor, mirëpo si pasojë e plagëve të rënda viktima ka humbur jetën. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar nga Spitali Rajonal i Pejës. Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes ka arrestuar personin e dyshuar, i cili me urdhër të prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë, i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’”.
