Ende s’dihet motivi i vrasjes së dyfishtë në Majac të Podujevës
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se motivi i vrasjes së dyfishtë në Majac të Podujevës ende nuk është i njohur për autoritetet kosovare.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja dhe prova të tjera materiale, që sipas saj janë relevante për rastin.
“Menjëherë pas pranimit të informatave, Policia e Kosovës dhe ekipet e tjera hetimore, së bashku me prokurorin e Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, kanë dalë në vendin e ngjarjes për ndërmarrjen e veprimeve të para hetimore. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes është sekuestruar një armë zjarri dhe disa gëzhoja, si dhe disa prova të tjera materiale relevante për rastin. Me urdhër të prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria ka bërë të ditur se ende nuk dihen motivet e këtij rasti.
“Aktualisht, sipas hetimeve preliminare, motivi i këtij rasti ende nuk është i njohur. Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, është duke zhvilluar hetimet intensive për ndriçimin e plotë të këtij rasti tragjik”, njofton Prokuroria.
Mbrëmë në Majac e dyshuara A.G. privoi nga jeta I.B., 45-vjeçar, dhe gruan e axhës së saj, një 73-vjeçare.
45-vjeçari, sipas Policisë, u gjet i vdekur në veturë afër shtëpisë së të dyshuarës, ndërsa e moshuara humbi jetën në QKUK, pasi nuk iu bëri ballë plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Edhe 31-vjeçarja është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe në rrezik për jetën, pasi mbeti e plagosur.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë, pa ndërhyrje:
Prishtinë, 23 Mars 2026- Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik lidhur me vrasjen e dyfishtë mbrëmë në komunën e Podujevës, përkatësisht në fshatin Majac. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, dy persona, me inicialet I. B., dhe M.G., kanë humbur jetën, ndërsa e dyshuara ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Menjëherë pas pranimit të informatave, Policia e Kosovës dhe ekipet e tjera hetimore, së bashku me Prokurorin e shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, kanë dalë në vendin e ngjarjes për ndërmarrjen e veprimeve të para hetimore. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë sekuestruar një armë zjarri dhe disa gëzhoja, si dhe disa prova të tjera materiale relevante për rastin.
Me urdhër të prokurorit të Shtetit trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë.
Aktualisht, sipas hetimeve preliminare, motivi i këtij rasti ende nuk është i njohur. Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, është duke zhvilluar hetimet intensive për ndriçimin e plotë të këtij rasti tragjik. /Zëri