Një i vrarë e dy gra të plagosura – krejt çka dihet deri tani për rastin në Majac të Podujevës

Një i vrarë e dy gra të plagosura – krejt çka dihet deri tani për rastin në Majac të Podujevës

Kronika March 23, 2026 - 08:00

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Majac të Podujevë, ku një 45-vjeçar nga Obiliqi dyshohet se është vrarë nga një 31-vjeçare nga Podujeva, me të cilën dyshohet se ishte në lidhje.

Bilanci i rastit është rënduar edhe më tej, pasi të plagosura rëndë kanë mbetur e dyshuara për krimin, si dhe një 73-vjeçare, e cila dyshohet se ka lidhje familjare me dorasen.

Zejnullah Gashi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka konfirmuar vrasjen e një personi.

“E konfirmoj rastin e vrasjen së një personi në Podujevë dhe se prokurorja e rastit është duke shkuar në vendngjarje”, tha Gashi, për “Betimi për Drejtësi”.

Të plagosurat janë dërguar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) në gjendje të rëndë shëndetësore.

Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka bërë të ditur se të dyja pacientet kanë plagë nga arma e zjarrit dhe ndodhen në gjendje kritike.

“Dy paciente të gjinisë femërore, njëra e lindur më 1953 dhe tjetra 31-vjeçare, janë sjellë nga Podujeva. Arsyeja e lëndimit është arma e zjarrit. Gjendja e tyre është shumë e rëndë dhe jostabile. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe pacientet janë të intubuara, me frymëmarrje të asistuar. Njëra është dërguar në sallë operative, ku po trajtohet nga ekipet e Neurokirurgjisë dhe Anestezionit”, ka deklaruar Syla.

Gjendja e të plagosurave mbetet shumë e rëndë, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

Derisa mediat kanë zbuluar edhe identitetin e viktimës dhe të dorases.

Sipas Indeksonline, I.B. është vrarë në fshatin Majac nga e dyshuara A.G.

I.B. ishte nga Obiliqi, por që A.G. e kishte thirrur për takim në shtëpinë e saj në Majac, aty ku edhe mbet i vdekur 42-vjeçari pas të shtënave me armë zjarri nga e dyshuara A.G.

E plagosura është gruaja e axhës së të dyshuarës, e cila me të dëgjuar krismat ka arritur në vendin e ngjarjes dhe e njëjta më pas ka shkrepur armën edhe ndaj familjares së saj.

Pas aktit kriminal, e dyshuara është mbyllur në shtëpi dhe ka kërcënuar me vrasje të personave të tjerë që kanë tentuar t’i afrohen asaj.

Sipas raportimeve në media, e dyshuara A.G., ka tentuar që me armë të vetëvritet dhe si pasojë ajo ka marrë plagë të rënda dhe është duke u trajtuar në QKUK së bashku me të plagosurën tjetër.