Gjykata në Ferizaj dënon një kompani dhe një person për mashtrim, dënim me burg dhe gjoba

Gjykata në Ferizaj dënon një kompani dhe një person për mashtrim, dënim me burg dhe gjoba

Kronika March 13, 2026 - 15:38

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj personit juridik “E.D&C” SHPK dhe të pandehurit V.H., për veprën penale të mashtrimit.

Sipas Gjykatës, kompania “E.D&C” SHPK u shpall fajtore për veprën penale "Mashtrim", sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe u dënua me gjobë në shumën prej 6,000 eurove. Kjo shumë duhet të paguhet brenda 30 ditësh pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Ndërkaq, i pandehuri V.H. u shpall fajtor për të njëjtën vepër penale dhe u dënua me dy vjet burgim, si dhe me gjobë prej 2,000 euro. Dënimet do të ekzekutohen pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Sipas aktakuzës, rasti kishte ndodhur më 15 maj 2019 në Ferizaj, kur përmes personit përgjegjës V.H., kompania kishte mashtruar një qytetar me inicialet R.H. Duke u paraqitur rrejshëm se mund të siguronin një grant bujqësor të financuar nga shtete të huaja, ata i kishin kërkuar të dëmtuarit të paguante 4,280 euro në llogarinë e kompanisë, duke i premtuar se do të përfitonte një traktor në vlerë rreth 25,000 euro.

Po ashtu, viktima kishte paguar edhe 800 euro shtesë për përgatitjen e një plani biznesi. Megjithatë, pas pagesave, të pandehurit nuk i kishin kthyer më përgjigje dhe nuk ishte realizuar asnjë grant, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material rreth 5,080 euro.

Gjykata ka caktuar ndaj të pandehurit edhe masën e paraburgimit deri në momentin kur aktgjykimi të marrë formën e prerë, por jo më gjatë se koha e dënimit të shqiptuar.

Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga pranimi i aktgjykimit me shkrim në Gjykata e Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj. /Zëri