Arrestohet një i mitur për vjedhje të rëndë në Lipjan, dyshohet për së paku 12 raste

Arrestohet një i mitur për vjedhje të rëndë në Lipjan, dyshohet për së paku 12 raste

Kronika March 13, 2026 - 14:51

Një person i mitur është arrestuar nga policia si i dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, në një rast që kishte ndodhur më 3 mars 2026 në një shtëpi në fshatin Torinë të Lipjanit.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në këtë rast ishte raportuar se nga shtëpia ishin vjedhur stoli ari dhe një shumë parash.

Pas ndërmarrjes së disa veprimeve operative, zyrtarët policorë kanë arritur të identifikojnë dhe më pas të arrestojnë të dyshuarin.

Me vendim të prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa ndaj tij po zhvillohen procedurat e nevojshme hetimore.

Sipas Policisë, i mituri dyshohet të jetë i përfshirë në të paktën 12 vepra të ngjashme të natyrës së njëjtë. Ndërkohë, hetuesit janë në kërkim edhe të disa personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në këto raste. /Zëri