Po punonte tokën, humb jetën 36-vjeçari në Fier
Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Peshtan Bregas të Fierit, ku një 36-vjeçar i identifikuar si Hamza Duraj , ka humbur jetën tragjikisht gjatë punës në tokat bujqësore.
Raportohet se i riu kishte dalë për të punuar tokën me frezë, kur dyshohet se është penguar aksidentalisht dhe ka rënë në tokë. Në ato momente, mjeti bujqësor i ka kaluar sipër trupit, duke i shkaktuar plagë fatale dhe vdekje të menjëhershme.
Trupi i pajetë është gjetur nga familjarët, të cilët ishin shqetësuar, pasi ai nuk po u përgjigjej thirrjeve telefonike. Ata kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës.
Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë dhe ambulanca, e cila e ka transportuar 36-vjeçarin drejt Spitalit Rajonal të Fierit, por fatkeqësisht ai kishte ndërruar jetë që në vendin e ngjarjes.
Aktualisht, trupi ndodhet në morgun e Spitalit Rajonal Fier, ku pritet të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore. Më pas, familjarët do të tërheqin trupin për të kryer ceremoninë mortore gjatë ditës së nesërme, raporton A2 Cnn.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti tragjik.