Të shtëna armësh mbrëmë në Prishtinë, i dyshuari ende në arrati

Të shtëna armësh mbrëmë në Prishtinë, i dyshuari ende në arrati

Kronika June 14, 2024 - 09:28

Mbrëmë rreth orës 21:30 është raportuar për të shtëna armësh zjarri në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Sipas Policisë, një person ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, pas një mosmarrëveshjeje me disa persona, e ka marrë armën “AK-47” dhe pasi ka dalë nga shtëpia ka shtënë me armë.

Policia gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes ka konfiskuar 19 gëzhoja, ndërsa ka gjetur edhe drogë në shtëpinë e të dyshuarit, por jo edhe personin e kërkuar, i cili sipas raportit 24-orësh të Policisë është akoma në arrati, transmeton Zeri.info.

“Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe sekuestruar 19 gëzhoja, si dhe gjatë kontrollit të shtëpisë së personit të dyshuar janë gjetur disa fishekë, jelekë ushtarakë dhe substanca narkotike. Në vendin e ngjarjes, përveç njësive relevante policore, ka dalë edhe prokurori. Personi i dyshuar gjendet në kërkim policor”, thuhet në raportin e Policisë. /Zëri