Vozitësi e goditi me veturë një person në Leposaviq, Policia thotë se duhet të vërtetohet autenticiteti i videos [video]

Vozitësi e goditi me veturë një person në Leposaviq, Policia thotë se duhet të vërtetohet autenticiteti i videos [video]

Kronika November 29, 2022 - 13:18

Kandidati për kryetar komune në veri të Mitrovicës, Aleksandar Arsenijoviq, të hënën ka publikuar një video, në të cilën shihet një qytetar që goditet nga mbrapa nga një veturë në lëvizje, incizimin e së cilës e ka bërë shoferi i veturës.

Arsenijoviqi, përmes postimit të tij në rrjetin social në Facebook, shkroi se ngjarja ka ndodhur në komunën e Leposaviqit.

Ai po ashtu tregoi shqetësimin e këtij veprimi dhe thotë se kjo është bërë në mungesë të policisë në këtë pjesë të Kosovës.

“Jam i shqetësuar me skenën në komunën e Leposaviqit, ku një njeri (nëse mund të quhet i tillë) në mungesë të policisë e shkel një njeri në rrugë, duke i plotësuar egot e tij personale. Shpresoj që herë do kurdo të mbajnë përgjegjësi për këtë mizori përfundimisht”, shkroi ai.

Telegrafi gjithashtu ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti, i cili tha se policia është njoftuar përmes rrjeteve sociale.

Hoti tha se për këtë është njoftuar edhe Prokuroria Themelore në veri të Mitrovicës. Sipas tij, duhet të vërtetohet autenticiteti i videos, pasi siç theksoi Hoti nuk dihet lokacioni i saktë e as koha dhe nuk ka ndonjë ankues lidhur me lëndime të mundshme në këtë video.

“Njoftimi është marrë nga rrjetet sociale. Është njoftuar prokurori. Duhet të vërtetohet autenticiteti i videos. Përndryshe nuk dihet lokacioni i saktë e as koha, ndërsa asnjë ankues nuk është lajmëruar lidhur me lëndime të mundshme në këtë video”, tha Hoti.