Sërish sulmohet Policia në veri

Sërish sulmohet Policia në veri

Kronika April 16, 2022 - 09:59

Një veturë e policisë së Kosovës është sulmuar sërish në veri të Mitrovicës, kësaj radhe me mjete shpërthyese, të cilat dyshohet të jenë mjete piroteknike.

Sipas njoftimit të PK-së, sulmi ka ndodhur sot, më 16.04.2022, rreth orës 03:10, në Sharpej të Jarinjës, ku thuhet se kanë ndodhur dy shpërthime të cilat dyshohet nga mjete piroteknike, raporton Zeri.info.

“Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë. Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike).Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Sipas njoftimit, thuhet se Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave.

“Nga ky rast, nuk ka persona të lënduar as dëme materiale. Policia është duke e trajtuar rastin dhe do të vazhdojë aktivitete operative për të parandaluar aktet kriminale trans-kufitare në atë zonë dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë|, thuhet në njoftimin e PK-së.

Kujtojmë se dje u raportua për disa sulme ndaj policisë së Kosovës në veri. Qeveria sulmet i quajti terroriste, ndërsa thanë se kanë informacione se sulmet erdhën nga pjesa e Serbisë. /Zëri