Kajtazi: Sigurimet shëndetësore të domosdoshme për zyrtarët policorë
FOTO: Zëri

Kajtazi: Sigurimet shëndetësore të domosdoshme për zyrtarët policorë

Kronika January 31, 2020 - 09:27
Sami Thaqi, 38-vjeçar, është zyrtari i 21-të policor i Kosovës, i cili ka humbur jetën në krye të detyrës që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 20 vjet më parë. Rasti i parë i vrasjes së një zyrtari policor është regjistruar në shtator të viti 2001, ndërsa qysh nga ajo kohë shqetësimi më i madh është ngritur për mungesën e sigurimit shëndetësor e jetësor për të gjithë ata zyrtarë, të cilët primare e kanë përkujdesjen për sigurinë dhe sundimin e ligjit në vend

Kjo javë e ka zënë Policinë e Kosovës në vorbullën e telasheve. Përveç mërzisë për humbjen e kolegut të tyre nga Njësia Antidrogë, Sami Thaqi, dhe plagosjes së dy të tjerëve në një sulm me eksploziv në mbrëmjen e së martës, në fshatin Zhur të Prizrenit, zyrtarët policorë të Kosovës janë më se të shqetësuar për mungesën e sigurimit shëndetësor dhe jetësor për ta, shkruan gazeta “Zëri”.

Edhe 21 vjet pas luftës dhe 20 vjet nga themelimi i Institucionit të Policisë së Kosovës, pjesëtarët policorë ende nuk janë duke e gëzuar një të drejtë themelore që u takon atyre. E raste si ai i të martës, sipas njohësve të sigurisë në vend, mund të ndodhin edhe më tutje në rast se për zyrtarët policorë nuk fillojnë trajnimet e nevojshme, qofshin ato edhe për bastisjet policore, për arrestimet e të dyshuarve ose për aksione të tjera madhore.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi e ka parë të domosdoshme sigurimet shëndetësore për të gjithë popullin dhe jo vetëm për Policinë e Kosovës.

“Sigurimet shëndetësore jo vetëm për policinë, por edhe për popullatën në tërësi janë të domosdoshme. Përmes tyre arrihen efekte të shumta psikologjike të cilat së pari krijojnë një paqe sociale e cila ndikon edhe në rritjen e sigurisë së përgjithshme. Ndërkohë te policia sigurimi shëndetësor ka efekte të shumta. E para, krijon predispozita për shëndet të përgjithshëm të efektivëve policore; krijohen predispozita të kontrollit periodik të verifikimit të shëndetit fizik dhe mental. Së dyti sëmundjet profesionale dhe kronike të efektivëve policor do të zvogëloheshin, së treti, aksidentet si ky i rastit të Zhurit, do të trajtoheshin dinjitetshëm. Kjo do të shkaktonte efekte të shumta në polici, ku çdo pjesëtarë do te ndihej i dinjitetshëm, më i disiplinuar, dhe me i sigurt në kryerjen e punëve policore që si rikapitulim do të rriste dukshëm efikasitetin e policisë”, ka thënë ai për “Zërin”.

Të nevojshme Kajtazi e ka parë edhe fillimin e instruksioneve për zyrtarët policorë, në rastet e veprimeve policore.

“Nëse specialistët në PK nuk kanë vlerësuar deri tani rrezikun për nivelin e potencialit të elementit kriminal duhet ta bëjnë sa më shpejt dhe të instruktojnë policinë për veprime në përputhje me këtë nivel, si dhe ta pajisin me mjete përkatëse”, ka thënë tutje ai.

Sipas Fadil Kajtazit, ka treguar edhe për armët më të pëlqyer dhe më e përhapur e personave që merren me aktivitete kriminale.

“Është evidente se elementi kriminal në Kosovë dhe rajon, në aktivitetet e veta kriminale ka në dispozicion armatim me mundësi të madhe luftarake. Armë më e pëlqyer dhe më e përhapur e kriminelëve është pushka automatike nga familja e AK-47, e njohur si “Kallash”. Gjithashtu në dispozicion të kriminaleve janë edhe masat e fuqishme eksplozive TNT, bomba ofensive të dorës, mjete lansuese të predhave kundër blinduese etj. Duke i pasur parasysh këto, është momenti që policia të instruktohet me taktika të veprimit dhe të pajiset me mjete adekuate në mënyre që të neutralizoi efektshëm individ dhe grupe kriminale duke minimizuar humbjet në efektiva policore dhe dëmet anësore”, ka thënë tutje ai. /ZËRI

Lexo edhe Zyrtarët policorë qe 20 vjet pa sigurim jetësor e shëndetësor
Aktuale January 31, 2020