Zyrtarët policorë qe 20 vjet pa sigurim jetësor e shëndetësor

Zyrtarët policorë qe 20 vjet pa sigurim jetësor e shëndetësor

Aktuale January 31, 2020 - 07:28
Image

Sami Thaqi, 38-vjeçar, është zyrtari i 21-të policor i Kosovës, i cili ka humbur jetën në krye të detyrës që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 20 vjet më parë. Rasti i parë i vrasjes së një zyrtari policor është regjistruar në shtator të viti 2001, ndërsa qysh nga ajo kohë shqetësimi më i madh është ngritur për mungesën e sigurimit shëndetësor e jetësor për të gjithë ata zyrtarë, të cilët primare e kanë përkujdesjen për sigurinë dhe sundimin e ligjit në vend, shkruan gazeta "Zëri".

Kjo javë e ka zënë Policinë e Kosovës në vorbullën e telasheve. Përveç mërzisë për humbjen e kolegut të tyre nga Njësia Antidrogë, Sami Thaqi, dhe plagosjes së dy të tjerëve në një sulm me eksploziv në mbrëmjen e së martës, në fshatin Zhur të Prizrenit, zyrtarët policorë të Kosovës janë më se të shqetësuar për mungesën e sigurimit shëndetësor dhe jetësor për ta. Edhe 21 vjet pas luftës dhe 20 vjet nga themelimi i Institucionit të Policisë së Kosovës, pjesëtarët policorë ende nuk janë duke e gëzuar një të drejtë themelore që u takon atyre. E raste si ai i të martës, sipas njohësve të sigurisë në vend, mund të ndodhin edhe më tutje në rast se për zyrtarët policorë nuk fillojnë trajnimet e nevojshme, qofshin ato edhe për bastisjet policore, për arrestimet e të dyshuarve ose për aksione të tjera madhore.

Tasholli: Kërkesa për sigurim të policëve, e kamotshme

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë të Kosovës, Shaban Tasholli, për “Zërin” pohoi se kërkesa për sigurim shëndetësor, jetësor e pension invalidor për zyrtarët policorë është e kamotshme. “Ne kemi bërë kërkesë për mirëqenien e policit, pra për sigurimet shëndetësore, jetësore, aksidentale, pensionin invalidor dhe pensionin e rregullt. Nuk jemi duke i mirëpritur mosrezultatet, mirëpo kështu është duke ndodhur”, ka thënë Tasholli.

Duke diskutuar mbi ngjarjen tragjike në fshatin Zhur të Prizrenit, Tasholli tha se edhe pas kësaj ngjarjeje Policia e Kosovës nuk do të ndalet së punuari. “Jeta është e tillë. Ne sot po ballafaqohemi me probleme, mirëpo roli ynë dhe puna jonë nuk do të ndalet asnjëherë pavarësisht që ne kemi kërkesa për mirëqenie dhe për punë. Dashtë Zoti që kurrë të mos ketë këso të këqijash në Policinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Tasholli gjithashtu foli edhe për vendimin e kryeministrit në detyrë Ramush Haradinajt për shtimin e 300 eurove, plus rrogës, që marrin familjarët e zyrtarëve policorë të rënë në detyrë. “Ndarja e parave është e mirëpritur. Edhe për ata që e gëzojnë një rrogë prej 50% nga Policia, dje ka marrë vendim kryeministri që për këto familje të marrin këtë vit nga 300 euro plus rrogës që e kanë. Tani është një balancë bukur e mirë për këto familje”, ka thënë ai.

Shala: Edhe 21 vjet pas luftës policëve po u mohohet një e drejtë themelore

Njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala duke komentuar rastin e fundit, ku një pjesëtar policor humbi jetën nga eksplozivi që plagosi edhe dy të tjerë, pohoi se është e rëndë që edhe pas 21 vjetësh nga lufta të mungojnë sigurimet shëndetësore për zyrtarët policorë. “Në lidhje me rastin ‘Zhur’, është e rëndë se nga një rast dhune familjare të kemi humbjen e jetës së zyrtarit e plagosjen e dy të tjerëve dhe mbi të gjitha lëndimi i një fëmije në këtë rast. Sa i përket faktit se 21 vjet pas luftës spektri politik në vend ende nuk ka mundur të pajtohet që kjo kategori të gëzojë një të drejtë themelore, që ndërlidhet më sigurimin shëndetësor”, ka thënë Shala për “Zërin”..

Ai e konsideruar si veprim të gabuar ndarjen e parave për këta zyrtarë, pasi kjo çështje do të duhej të ishte e rregulluar me normë juridike. “Kjo po e dëshmon që pas rasteve ku kemi humbje jetësh qeveritë po shpërndajnë ndihma financiare për këta zyrtarë e që është gabim, sepse duhet ta kemi të rregulluar në formën e normës juridike”, ka thënë tutje ai.

Shala: 90% e policëve, të patrajnuar për kontrollimin e lëndëve eksplozive

Shala e ka parë të nevojshme trajnimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga Ministria e Punëve të Brendshme e veçanërisht për eksploziv. “MPB-ja duhet të investojë në krijimin e kushteve për trajnimin e çdo pjesëtari në çdo fushë e në veçanti ato të eksplozivit e jo të merret me keqmenaxhimin e fondeve që dedikohen për fushën e trajnimeve. Është fakt se 90% i numrit të zyrtarëve nuk e ka përfunduar trajnimin se si të kontrollojë vendin e ngjarjes në rast se raportohet se ka lëndë eksplozive”, ka thënë tutje ai për gazetën.

Ai ka shprehur shqetësimin që raste të tilla do të mundë të ndodhin edhe në të ardhmen e që nevojitet një bashkëveprim më i detajuar i njësive operative dhe i organizatave të sigurisë në nivelin nacional. “Raste të tilla mund të kemi në të ardhmen, por mund të kemi edhe raste të tjera ku mund të përdoren edhe lëndë biologjike/kimike dhe këto raste kërkojnë trajtim e qasje tjetër dhe për të cilat është e trajtuar vetëm një njësi në kuadër të MFSK-së. Pra duhet të kemi bashkëveprim më të detajuar operativ në mes njësive dhe organizatave të tjera të sigurisë në nivel nacional”, ka theksuar njohësi i çështjeve të sigurisë.

Islami: Policia duhet ta ndërrojë strategjinë për aksionet policore

Sipas Avni Islamit, po ashtu njohës i çështjes së sigurisë, kjo dukuri në Kosovë ka ndodhur për herë të parë. “Dukuria e sulmit me eksploziv është shfaqur për herë të parë. I dyshuari, i cili posedonte lëndë narkotike, ka përdorur një metodologji e cila është kaherë duke u përdorur në shtetin e Shqipërisë, por që tek ne nuk ka ndodhur dhe kësisoj njësitë policore gjatë thirrjes për dhunë në familje nuk e kanë paraparë se mund të hasin në eksploziv ushtarak, pra në vetëmbrojtje nga i dyshuari që posedonte lëndë narkotike”, ka thënë ai për “Zërin”.

Të nevojshme Islami e pa ndërrimin e strategjisë së Policisë të Kosovës për aksionet policore. “Mendoj se Policia e Kosovës që nga ky rast duhet ta ndërrojë strategjinë gjatë aksioneve policore qoftë në bastisje, qoftë në arrestime të të dyshuarve, sepse një rast i tillë mund të përsëritet. Kësisoj në strategjinë e Policisë së Kosovës duhet ta ketë parasysh që tash e tutje të jenë prezentë edhe ekspertë, të cilët merren me eksplozivë në mënyrë që të mos përsëritet rasti”, ka thënë ai./ZËRI