U gjetën 28 kilogramë eksploziv, s’ka të dyshuar

Kronika December 15, 2018 - 08:31
Lexo tjera detaje
Image

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, ka thënë për “Zërin” se përveç konfiskimit të 28.115 kilogramëve eksploziv, organet e ndjekjes ende nuk kanë arritur t’i identifikojnë dhe t’i arrestojnë të dyshuarit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Rreth 30 kilogramë eksploziv janë gjetur dhe janë konfiskuar nga Policia e Kosovës të enjten, rreth orës 14:10, në fshatin Mazgit të Obiliqit, një ditë para se në Kuvend të votohej për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

Gjetja dhe konfiskimi i këtij eksplozivi kishte ardhur si rezultat i informatave që kishte siguruar Policia se në magjistralen Prishtinë - Mitrovicë gjendet një mjet shpërthyes. Sipas Policisë, deri në largimin e këtij eksplozivi ishte ndërprerë edhe qarkullimi i automjeteve në atë rrugë.

Policia ka treguar se të gjitha veprimet janë kryer me sukses, duke arritur që në mënyrë të sigurt të tërheqin 28.115 kg. substancë të dyshuar eksplozivi dhe ky rast është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore në bashkëpunim me mekanizma tjerë institucionalë. “Policia e Kosovës ka siguruar informacionet se afër rrugës magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, në hyrje të rrugës për në Gazimestan, ndodhet një mjet i dyshuar shpërthyes. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante policore, duke përfshirë Njësitin për Trajtimin e Materieve të Rrezikshme të PK-së, me ç’rast kanë ndërmarrë veprime të nevojshme policore dhe ato të sigurisë në një perimetër të caktuar, duke ndërprerë për një kohë të caktuar edhe qarkullimin e automjeteve”, ka bërë të ditur Policia.

Syla: Nuk kemi asnjë të ndaluar

Në anën tjetër zyrtarë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila është duke e hetuar këtë rast, pohojnë se organet e ndjekjes janë në kërkim të të dyshuarve.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, ka thënë për “Zërin” se përveç konfiskimit të 28.115 kilogramëve eksploziv, organet e ndjekjes ende nuk kanë arritur t’i identifikojnë dhe t’i arrestojnë të dyshuarit. “Nuk janë 15 kilogramë, por  janë mbi 28 kilogramë eksploziv. Policia është në kërkim të të dyshuarve, momentalisht nuk kemi  të ndaluar. Jam në kontakt me prokurorin e rastit dhe janë duke punuar në identifikimin e kryesve”, u shpreh Syla.

Gjetja dhe konfiskimi i këtij eksplozivi nga njohës të çështjeve të sigurisë po shihet si sukses i institucioneve të sigurisë së Kosovës.

Islami: Fuqia shkatërruese e këtij eksplozivi do të ishte e madhe

Njohësi i sigurisë, Avni Islami, thotë se shpërthimi eventual i këtij eksplozivi do të ishte me pasoja të mëdha. “Gjendja e gatishmërisë nga institucionet e sigurisë ka qenë në nivelin e duhur. Ne nuk e dimë a ka hyrë ose a ka qenë në territorin e Kosovës më herët ky eksploziv, mirëpo sasia e eksplozivit të gjetur afër Gazimestanit dhe fuqia e saj detonuese dhe shkatërruese do të ishte jashtëzakonisht e madhe”, ka thënë Islami.

Ai pohon se nuk është hera e parë që një sasi e madhe e eksplozivit gjendet në vende të ndjeshme dhe hyn në territorin e Kosovës.

Njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, pohon se gjetja e 28 kilogramëve eksploziv nga ana e strukturave të sigurisë tregon që Kosova është rrezikuar për herë të dytë me eksploziv.

Gjetja e këtij eksplozivi dhe parandalimi i shpërthimit të tij sipas Shalës tregon që institucionet si AKI-ja dhe PK-ja duhet të krijojnë një trupë vepruese, e cila do të monitoronte në mënyre eksplicite për afro gjashtë muajt e ardhshëm tërë territorin e Kosovës, duke aranzhuar edhe pika statike në hyrje të qyteteve të mëdha. “Veprimi i ndërmarr nga ana e institucioneve të RKS-së ka treguar që Kosova ka përmbyllur një proces të rëndësishëm në aspektin e sigurisë, duke i dhënë FSK-së misione mbrojtëse dhe reagimet nga ky proces mund të shihen në ditët në vazhdim nga ana e strukturave të Serbisë brenda dhe jashtë Kosovës, por diplomacia vendore duhet që së bashku me partnerët ndërkombëtarë të kundërshtojë çdo përpjekje të Serbisë në Këshillë të Sigurisë të OKB-së”, ka thënë ai.

Në dhjetor të vitit 2014 organet e Hetuesisë kishin arrestuar shtetasin serb Sllobodan Gavriq, në lagjen “Arbëria”, të Prishtinës. Në veturën me të cilën Gavriq kishte ardhur nga Beogradi në Prishtinë ishin gjetur rreth 13 kilogramë eksploziv.

Më 29 qershor 2016 Gjykata Themelore në Prishtinë pati dënuar me 13 vjet burg shtetasin nga Serbia, Slobodan Gavriq, i akuzuar “Për vepër terroriste”. Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Gavriqit më 10 korrik 2015. Sipas aktakuzës, eksplozivi i Gavriqit ishte marrë në Beograd dhe dyshohej për përgatitjen e veprës penale terroriste./ZËRI