Gjithçka çfarë ndodhi sot në seancën gjyqësore Haradinaj-Muhaxheri

Gjithçka çfarë ndodhi sot në seancën gjyqësore Haradinaj-Muhaxheri

Kronika tetor 10, 2018 - 18:22
Detajet

Në gjykimin e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, i paditur për shpifje nga Ramush Haradinaj, avokati i të pandehurit, Besnik Berisha, tha se edhe nëse klienti i tij i ka thënë fjalët e pretenduara nuk do ta dëmtonte më shumë reputacionin e kryeministrit pasi që, sipas tij, ato fjalë nuk janë risi.

“S’do ta dëmtonin aspak më shumë reputacionin e kryeministrit sesa të mund ta ketë dëmtuar artikulli me burim të NATO-s, i publikuar në maj të vitit 2014 në ‘Kohën Ditore’ për një javë rresht dhe thëniet në artikullin e ‘Der Standard’ nuk përbëjnë ndonjë risi“, tha në seancën e sotme avokati Berisha.

Sipas avokatit, në raportin e NATO-s thuhet se Haradinaj cilësohej si një prej politikanëve më të dhunshëm dhe në krye të një grupi mafioz.

“Në raportin e NATO-s thuhet se komandanti i Zonës së Dukagjinit, ish-kryeministri dhe kryetari i AAK, Ramush Haradinaj përshkruhet si njëri prej politikanëve me të dhunshëm në Kosovë i cili është i gatshëm të vrasë për të arritur qëllimet e tij. Po ashtu, sipas dosjeve të NATO-s, ai ka qëndruar në krye të një grupi mafioz me kontrabandë të cigareve, dhe produkteve të tjera”, tha Berisha.

Tutje, avokati i kryetarit të Pejës shtoi se nëse dikush ka lexuar çka ka thënë NATO, nuk i ka ardhë çudi çka është shkruar në gazetën austriake “Der Standard“.

Ndërsa, avokati i kryeministrit Haradinaj, Arianit Koci, tha se NATO asnjëherë nuk e ka thënë këtë zyrtarisht.

“Asnjëherë NATO nuk i ka thënë zyrtarisht këto për Haradinajn dhe këto thënie janë irelevante. Këtu jemi për ato që i ka thënë zoti Muhaxheri, dhe Muhaxheri asnjëherë nuk është thirrur në NATO-n si burim “, tha Koci.

Ai i konsideroi si një sulm të personalitetet dhe imazhit fjalët e avokatit Berisha.

“Shihet qartazi që në mungesë të një mbrojtje të argumentuar po pretendohet që edhe me tutje personaliteti i Haradinajt të sulmohet dhe dëmtohet”, theksoi avokati Koci.

Avokati i të parit të Pejës, Besnik Berisha, i propozoi Gjykatës që të paraqesë prova të reja, ndërsa kërkesën e tillë e kundërshtoi avokati Koci me arsyetimin se është dashur që në fazat paraprake ta bëjë një gjë të tillë.

Gjykata e aprovoi propozimin e avokatit Berisha, me të cilin i dha 15 ditë kohë, që t’i sigurojë provat dhe t’ia dërgojë Gjykatës.

Kryeministri Haradinaj e ka paditur Gazmend Muhaxherin pas akuzave që ky i fundit adresoi vite më parë ndaj tij se gjoja po bën para me benzinë dhe lojëra të fatit dhe për shkak të deklaratave “fyese dhe shpifëse” në gazetën austriake “Der Standard”.

Si kompensim të dëmit material, kryeministri përmes padisë kërkon 250 mijë euro dëmshpërblim nga kreu i Komunës së Pejës. /Kallxo.com/