Inflacioni vjetor në Kosovë arrin në 7.1 %, shtrenjtohen transporti, uji, rryma e duhani

Inflacioni vjetor në Kosovë arrin në 7.1 %, shtrenjtohen transporti, uji, rryma e duhani

Ekonomia November 10, 2026 - 11:35

Inflacioni vjetor në Kosovë arrin në 7.1 %, shtrenjtohen transporti, uji, rryma, duhani e

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin tetor 2026, sipas të cilave inflacioni vjetor në Kosovë ka arritur në 7.1 për qind.

Sipas raportit të ASK-së, krahasuar me tetorin e vitit 2025, rritja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga transporti, ku është regjistruar shtrenjtim prej 21.5 për qind, transmeton Zeri.info.

Rritje të konsiderueshme të çmimeve janë regjistruar edhe te grupi i strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse, me 9.7 për qind.

Ndërkohë, pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët janë shtrenjtuar për 5 për qind, restorantet dhe shërbimet e akomodimit për 4.5 për qind, ndërsa kujdesi personal dhe shërbimet e ndryshme për 3.7 për qind.

Te grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike është regjistruar rritje prej 3.2 për qind, ndërsa shëndetësia dhe mobiljet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore e tyre kanë shënuar rritje nga 2.9 për qind.

Në anën tjetër, rënie e çmimeve është regjistruar vetëm te shërbimet arsimore, me 0.3 për qind.

Çmimet nuk ndryshuan në tetor krahasuar me shtatorin

Për dallim nga rritja vjetore, inflacioni mujor në tetor 2026 ishte 0.0 për qind, krahasuar me shtatorin e këtij viti.

Megjithatë, në baza mujore, rritje të çmimeve janë regjistruar te strehimi, uji dhe energjia elektrike me 1.7 për qind, ushqimet dhe pijet joalkoolike me 1.1 për qind, si dhe pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 0.3 për qind.

Rritje më të vogla janë evidentuar edhe te kujdesi personal, mobiljet dhe pajisjet shtëpiake, si dhe restorantet dhe shërbimet e akomodimit.

Ndërkaq, gjatë tetorit, çmimet e transportit kanë rënë për 2.2 për qind, ato të rekreacionit, sportit dhe kulturës për 1.4 për qind, ndërsa veshjet, këpucët dhe shërbimet e informacionit dhe komunikimit kanë shënuar rënie prej 0.1 për qind.

ASK-ja ka bërë të ditur se publikimi i tetorit 2026 është realizuar duke zbatuar klasifikimin e ri COICOP 2018, me vit bazë 2025=100 dhe metodologji të përditësuar./Zëri