Muja vizitoi fermerët e prekur nga breshri në komunën e Istogut

Muja vizitoi fermerët e prekur nga breshri në komunën e Istogut

Ekonomia July 21, 2026 - 16:01

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja vizitoi sot fermerët e prekur nga breshëri në Komunën e Istogut, ku u njoh nga afër me dëmet në kulturat bujqësore dhe bisedoi me prodhuesit për sfidat me të cilat po përballen.

Gjatë vizitës, ministri Muja theksoi se hapi i parë institucional është vlerësimi profesional i dëmeve nga Komisioni Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, në përputhje me procedurat ligjore, duke përshëndetur faktin që ky komision tashmë është themeluar nga Komuna e Istogut.

Ministri nënvizoi se ndryshimet klimatike po rrisin frekuencën dhe intensitetin e fenomeneve ekstreme të motit, prandaj politikat e Ministrisë do të fokusohen gjithnjë e më shumë në parandalim, përshtatje dhe menaxhim të rrezikut, përveç adresimit të pasojave.

Në këtë kuadër, ai njoftoi se Ministria synon të nisë pilotimin e skemës së sigurimeve bujqësore, si hapin e parë drejt krijimit të një sistemi kombëtar të sigurimeve në bujqësi. Paralelisht, Ministria do të zgjerojë mbështetjen për rrjetat mbrojtëse kundër breshrit, si një investim i rëndësishëm për mbrojtjen e kulturave bujqësore.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se Ministria është duke shqyrtuar krijimin e një Qendre të Paralajmërimit të Hershëm për Fermerët, e cila do të ofrojë informacione dhe paralajmërime meteorologjike në kohë reale, për t’u mundësuar fermerëve marrjen e masave mbrojtëse para goditjes së fenomeneve ekstreme.

Për fermerët e prekur, Instituti Bujqësor i Kosovës dhe Shërbimi Këshillimor Bujqësor do të angazhohen në terren për të ofruar këshillim profesional mbi masat agroteknike që duhet të ndërmerren pas breshrit, me synim rikuperimin sa më të mirë të prodhimit.

Ministri njoftoi gjithashtu se javën e ardhshme do të hapet Skema e Granteve 2026, e cila do të mbështesë investimet në sera dhe fidanë për rimbjellje, duke ndihmuar fermerët të rikthejnë kapacitetet prodhuese dhe të investojnë në sisteme më rezistente ndaj rreziqeve klimatike.

 “Ndryshimet klimatike kërkojnë një qasje të re. Synimi ynë është të ndërtojmë një bujqësi më të qëndrueshme përmes investimeve në parandalim, sigurime bujqësore, infrastrukturë mbrojtëse, sisteme të paralajmërimit të hershëm dhe këshillim profesional. Sistemi ynë i mbështetjes po përshtatet vazhdimisht për t’iu përgjigjur sfidave që sjell klima dhe për të mbrojtur fermerët e Kosovës”, deklaroi ministri Muja.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural mbetet e përkushtuar të punojë ngushtë me komunat, institucionet përgjegjëse dhe fermerët për të ndërtuar një sektor bujqësor më të qëndrueshëm, më konkurrues dhe më rezistent ndaj sfidave të ndryshimeve klimatike.