Kurti: Inspektimet do të bazohen në rrezik, shkelësit do të përballen me masa më të ashpra
Qeveria e Kosovës po zbaton një model të ri të inspektimeve, i cili do të bazohet në nivelin e rrezikut të bizneseve, ndërsa subjektet që përsërisin shkeljet ligjore do të përballen me masa më të ashpra, duke përfshirë gjoba dhe kallëzime penale.
Këto u thanë në prezantimin e Raportit të Përgjithshëm Vjetor mbi Inspektimet 2025, të organizuar nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm pranë Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se reforma e inspektimeve synon të orientojë kontrollet drejt subjekteve me rrezik më të lartë, ndërsa ndaj shkelësve të përsëritur të zbatohet një qasje pa kompromis.
“Një ndër pjesët më të rëndësishme të reformës është një qasje e re, e bazuar në nivele të ndryshme të rrezikut, të krijuara nga subjekte të ndryshme të inspektimit. Për shembull, një biznes i cili merret me aktivitete të rrezikshme ose që ka një ndikim te një numër më i madh i konsumatorëve, parimisht duhet të inspektohet më shpesh sesa bizneset e tjera. Po ashtu, ndaj atyre subjekteve të cilat kanë një histori të shkeljeve të rënda të rregullave ligjore, të cilat rrezikojnë në mënyrë të përsëritur jetën ose shëndetin e punëtorëve dhe konsumatorëve, inspektoratet tona duhet të jenë sa më të rrepta edhe pa kompromis. Duke shfrytëzuar të gjitha mjetet ligjore që i kanë në dispozicion, përfshi gjobitjen, e madje edhe kallëzime penale në raste më të rënda”, tha ai.
Kurti shtoi se pjesa më e madhe e bizneseve nuk janë shkelëse dhe se reforma synon të krijojë një raport më bashkëpunues me sektorin privat.
“Mirëpo, pjesa dërmuese e bizneseve të vendit tonë, fatmirësisht nuk janë shkelës flagrantë apo recidivistë. Për këtë shumicën e madhe të bizneseve, të cilat kanë një vullnet të sinqertë për t’i respektuar rregullat e parashikuara me ligj, reforma kërkon një qasje bashkëpunuese e cila synon të ulë sa më shumë barrën administrative mbi sektorin privat. Për shembull, përmes listave të kontrollit të publikuara nga secili inspektorat, bizneset do të kenë mundësi të dinë saktësisht kriteret ligjore në bazë të të cilave do të inspektohen ato. Përmes inspektimeve të përbashkëta ku dy apo më shumë inspektorate e kryejnë punën e tyre me një vizitë të vetme, do të reduktohen koha dhe burimet që bizneset duhet të harxhojnë gjatë vizitave të inspektorëve. Dhe përmes njoftimit për miratimin e inspektimit në raste të caktuara, bizneset do të mund të planifikojnë paraprakisht për ndërprerjen apo reduktimin e punës si pasojë e ardhjes së inspektorëve. Përveç këtyre ndryshimeve, me të cilat qeveria synon të mbështesë dhe të bashkëpunojë me sektorin privat, reforma ligjore po ashtu ka për qëllim forcimin dhe përmirësimin e punës së vetë inspektorateve dhe të personelit të tyre”, tha ai.
Inspektorja e përgjithshme, Lyra Osmani-Ahmeti, tha se gjatë vitit 2025 është shënuar progres në zbatimin e reformës së sistemit inspektues.
“Ky raport vjen në një periudhë të rëndësishme të konsolidimit të reformës, ku po kalojmë nga ndërtimi i kornizës ligjore dhe metodologjike drejt zbatimit të saj të plotë në praktikë. Raporti paraqet jo vetëm rezultatet e punës së Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm dhe të organeve inspektuese, por edhe dëshmi konkrete të transformimit gradual të sistemit tonë inspektues në një sistem më modern, më transparent, më profesional dhe më efektiv. Gjatë vitit 2025, kemi shënuar progres të rëndësishëm në disa drejtime kyçe të reformës”, tha ajo.
Ajo theksoi se është avancuar riorganizimi i trupave inspektues, unifikimi i procedurave dhe zbatimi i metodologjisë së inspektimeve të bazuara në vlerësimin e rrezikut.
“Së pari, kemi avancuar procesin e riorganizimit të trupave inspektues dhe themelimin e tyre si inspektorate qendrore, si agjenci ekzekutive, duke krijuar bazën për institucione më profesionale, më të pavarura dhe më efikase. Së dyti, kemi vazhduar unifikimin e procedurave inspektuese përmes zhvillimit të udhëzuesve metodologjikë, standardizimit të proceseve të punës dhe harmonizimit të praktikave ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale. Së treti, kemi bërë hapa të rëndësishëm drejt institucionalizimit të metodologjisë së inspektimeve bazuar në vlerësimin e rrezikut, ku për herë të parë modelet e rrezikut janë integruar në planet vjetore të punës të inspektorateve qendrore, duke orientuar resurset publike aty ku rreziku për qytetarët dhe interesin publik është më i lartë”, tha ajo.
Menaxherja e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Carole Megevand, tha se mënyra se si funksionojnë inspektimet ndikon drejtpërdrejt në klimën e të bërit biznes dhe në tërheqjen e investimeve.
“Inspektimi është shumë shpesh pika kryesore e kontaktit ndërmjet shtetit dhe bizneseve në një vend. Kjo është vërtet shumë e rëndësishme, sepse kur kryhet siç duhet, ai krijon kushtet që bizneset të lulëzojnë, të rriten dhe të investojnë. Ai ndihmon në mbrojtjen e qytetarëve, komuniteteve, sigurisë, si dhe të mjedisit. Por, kur kryhet gabimisht, ai mund të krijojë burokraci të panevojshme dhe një perceptim të mungesës së parashikueshmërisë, gjë që do të dekurajojë investimet dhe do të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike. Prandaj, është vërtet e rëndësishme që ai të funksionojë siç duhet”, tha ajo.
Ajo shtoi se qëllimi është krijimi i një sistemi inspektues që mbështet zhvillimin e sektorit privat pa e ngarkuar atë me procedura të panevojshme.
“Pyetja nuk është nëse inspektimet janë të rëndësishme, por se si mund të bëhen ato në mënyrë që të krijojnë mjedisin më të mirë dhe më mundësues për rritjen e sektorit privat, pa e mbingarkuar atë me masa administrative. Mendoj se pikërisht ky është rrugëtimi që kemi parë deri më tani në Kosovë, duke ndihmuar që, ndërsa Kosova po punon drejt thjeshtimit të administratës, inspektimi njëkohësisht të japë një kontribut kyç në krijimin e një mjedisi transparent, të barabartë dhe të parashikueshëm për sektorin privat”, tha ajo. /eo