Nga sot paga minimale është rritur në 500 euro, Kurti thotë se do të përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se paga minimale në Kosovë ka hyrë në fuqi në vlerën prej 500 eurosh, duke theksuar se nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti rikujtoi se paga minimale kishte mbetur e pandryshuar për më shumë se një dekadë, që nga viti 2011, kur ishte 130 euro për personat nën moshën 35-vjeçare dhe 170 euro për ata mbi këtë moshë.
Sipas tij, gjatë mandatit të qeverisë së udhëhequr nga ai paga minimale është rritur katër herë.
“Gjatë qeverisjes sonë u ngrit katër herë: nga 130 e 170 euro në 250 euro, mandej në 350 dhe së fundi në 425 euro. E sot paga minimale u bë 500 euro. Prej kësaj rritjeje do të përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat”, shkroi Kurti.
Ai shtoi se për më pak se gjysmë dekade paga minimale është trefishuar, ndërsa u zotua se rritja ekonomike do të shoqërohet edhe me rritje të mirëqenies për qytetarët.
“Rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Republikës sonë do ta përcjellim gjithnjë me shtim të mirëqenies për të gjithë. Urime të gjithëve!”, përfundoi Kurti. /Zëri