Ngriten çmimet e konsumit, këto janë produktet më të shtrenjta
Foto: Laura Hasani

Ngriten çmimet e konsumit, këto janë produktet më të shtrenjta

Ekonomia December 06, 2024 - 18:52

Çmimet e produkteve të konsumit kanë shënuar ngritje në nëntor 0.7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërsa, inflacioni mujor ishte 0,2 për qind në muajin nëntor.

Ngritje të çmimeve në nëntor kanë shënuar kafja, çaji dhe kakao me 11,8 për qind, ndërsa shërbimet financiare me 9.1 për qind. Ngritje të çmimeve pati edhe buka dhe drithërat me 1,8 për qind dhe energjia elektrike me 1.6 për qind.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës edhe vajrat dhe yndyrnat kanë shënuar ngritje të çmimeve 6,9 për qind, biletat e fluturimeve me 6,7 për qind, uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet me 6,2 për qind, pijet alkoolike me 5,3 për qind.

Ndërsa, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake u shtrenjtuan 4,5 për qind, qumështi, djathi dhe vezët 4,2 për qind, duhani me 2,9 për qind, mishi po ashtu 2,9 për qind, dhe buka dhe drithërat me 1,8 për qind, energjia elektrike 1,6 për qind.

Ndërsa, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rënie e çmimeve në nëntor pati tek karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal për 11,0 për qind, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. 5,7 për qind, pemët 3,8 për qind) dhe blerja e automjeteve 3,7 për qind me një ndikim prej -1,2 për qind në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK). /telegrafi