
Punëtorët e sektorit privat kërcënojnë me grevë nëse nuk u rriten pagat sikurse sektorit publik
Punëtorët e sektorit privat në Kosovë, që kryejnë shërbime për institucionet shtetërore dhe komunale, kanë kërkuar rritje të pagave, ashtu siç u bë për punëtoret e sektorit publik, të cilëve nga ky muaj u është rritur paga për 55 euro.
Për këtë çështje Federata Sindikale e Punëtoreve Privat të Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën është vendosur që nëse institucionet publike nuk i rritin pagat për këtë punëtorë, nga muaji mars do të fillojnë grevat dhe protestat.
Kryetari i kësaj Sindikate, Jusuf Azemi, ka thënë se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, nuk i përjashtojnë grevat dhe protestat.
“Ndarja e mjeteve për 55 euro për sektorin publik na gëzon, por ne jemi të barabartë dhe jemi punëtorë që paguhemi nga buxheti i Kosovës, buxheti komunal. Në javën e parë që kaloi zgjedhjen ne sot do të marrim vendim që do të mbajmë greve dhe protestë. Takimi i sotshëm është parapërgatitje për veprime sindikale, protesta dhe greva nëse nuk merren parasysh kërkesat tona që të barazohemi me të gjithë punëtoret e sektorit publik. Po flas për punëtorët që kryejnë shërbime për institucionet shtetërore dhe ato komunale. Është një përgatitje për protesta dhe greva e cila do të fillojë që nga një marsi e tutje”, u shpreh Azemi.