Swica: SHBA-ja e interesuar të thellojë bashkëpunimin me Kosovën për energji
Departamenti i Tregtisë i Shteteve të Bashkuara po përpiqet ta ndihmojë Kosovën në fushën e energjisë së ripërtritshme në kohën kur Kosova ka filluar përpjekjet për të diversifikuar burimet e saj të energjisë elektrike, e cila kryesisht përftohet nga qymyri dhe ndërkohë që po kërkon forma alternative të ruajtjes dhe prodhimit të energjisë.
Specialistja për Tregtinë Ndërkombëtare pranë Departamentit amerikan të Tregtisë, Justyna Swica, i tha Zërit të Amerikës se ky institucion së fundmi ftoi përfaqësues të sektorit publik dhe privat nga Kosova për të krijuar kontakte me kompanitë amerikane për të parë nëse ato janë të interesuara për të investuar në Kosovë për prodhimin e energjisë së pastër.
Zonja Swica, Departamenti amerikan i Tregtisë priti në Shtetet e Bashkuara një delegacion zyrtarësh nga Kosova për një program që përqendrohet në bashkëpunimin në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe për tranzicionin e Kosovës drejt prodhimit të energjisë së pastër. A mund të na tregoni më shumë për këtë program?
Justyna Swica: Programi SABIT është pjesë e Departamentit të Tregtisë të Shteteve të Bashkuara dhe ky program ka një traditë gati 35 vjeçare. Qëllimi kryesor i tij është të sjellë zyrtarë dhe profesionistë të nivelit të mesëm dhe të lartë në Shtetet e Bashkuara për dy javë. Gjatë kësaj kohe, ata kanë mundësinë të takohen me kolegët e tyre nga sektorët përkatës në qeveri, pastaj shoqata dhe me sektorin privat. Përmes këtyre takimeve, ata krijojnë lidhje të vlefshme dhe mësojnë për praktikat më të mira nga kjo industri. Së fundmi, ne pritëm një delegacion nga Kosova, të përqendruar në fushën e energjisë së pastër.
Njëri prej qëllimeve të programit është të krijohen lidhje ndërmjet investitorëve amerikanë dhe shteteve përkatëse. A ishte ky një prej synimeve dhe si përputhet kjo me strategjinë e përgjithshme të angazhimit të qeverisë amerikane në Kosovë?
Justyna Swica: Përputhet plotësisht. Financimi i programeve tona bëhet nga Departamenti i Shtetit, por zyra jonë është pjesë e Departamentit të Tregtisë, që do të thotë që fokusi ynë është tregtia. Departamenti i Tregtisë ka një angazhim të gjatë në Kosovë për çështjet e energjisë së ripërtritshme dhe ky program i forcon më tej këto synime. Kosova së fundmi ka miratuar disa ligje të cilat janë të favorshme për energjinë e ripërtëritshme. Ne shpresojmë që do t’iu mundësojë kompanive amerikane që të prezantojnë teknologjitë dhe shërbimet e tyre në tregun e Kosovës.
A ka ndodhur një gjë e tillë gjatë vizitës së delegacionit?
Justyna Swica: Po, në fakt shumica e takimeve të pjesëmarrësve këtu u bënë me kompanitë në sektorin privat. Vizita e parë që bëmë ishte në Kaliforni, ku ata morën pjesë në RE+, aktivitetit më të madh për prodhimin e energjisë së pastër në Amerikën Veriore. Ata patën rastin të vizitojnë seancat teknike, të takohen me mbi 1,300 kompani të pranishme dhe të marrin pjesë në konferencën me mbi 40,000 pjesëmarrës. Ishte një mundësi shumë e madhe për të krijuar kontakte. Si pjesë të programit ata patën rastin të vizitojnë një fermë të prodhimit të energjisë elektrike përmes turbinave të erës. Pjesëmarrësit gjithashtu takuan autoritetet komunale për të mësuar se si qytetet i menaxhojnë programet e energjisë së ripërtritshme. Por një pjesë e madhe e kësaj vizite ishin takimet me kompani të energjisë dhe inxhinierisë, kompani konsulencash dhe kompani të energjisë nga sektori privat për të kuptuar se si funksionojnë këtu dhe për të takuar kompani dhe individë të cilët janë shumë, shumë të interesuar të krijojnë partneritete dhe të investojnë në Kosovë.
A paraqet ky sektor dhe tregu i Kosovës interesim për investitorët amerikanë?
Justyna Swica: Patjetër. E pamë këtë në veçanti kur dërguam delegacionin në Ajova për vizitë dhe sigurisht që e dini për marrëdhëniet shumë të veçantë që Ajova ka me Kosovën. Delegacioni u mirëprit dhe ne pamë interesim të madh nga shumë kompani amerikane atje për të punuar dhe për partneritet me pjesëmarrësit nga Kosova. Ata panë mundësi të mëdha bashkëpunimi të cilat nuk do të ndodhnin pa këtë vizitë të pjesëmarrësve nga Kosova.
Njëri prej investimeve më të mëdha në sektorin e energjisë në Kosovë për kalimin drejt energjisë së pastër, janë sistemi i baterive akumuluese. A është diskutuar ky investim në takimet e zyrtarëve të Kosovës me kompanitë amerikane dhe Departamentin e Tregtisë?
Justyna Swica: Po, kjo ishte çështje shumë aktuale. Që kur i filluam programet e përqendruara në energjinë e pastër në vitin 2022 – dhe deri tani, kemi realizuar shtatë të tilla në zona të ndryshme gjeografike, kjo çështje ka pasur një rëndësi të madhe. Edhe me delegacionin nga Kosova u bë e njëjta gjë. Të gjitha seancat teknike në Kaliforni që ishin të përqendruara tek bateritë akumuluese dhe pjesëmarrësit e programit tonë u angazhuan për të kërkuar takime me ta.