Bislimi: Ka rënie të papunësisë nga 11.8% në 10.7%
Foto: Laura Hasani

Bislimi: Ka rënie të papunësisë nga 11.8% në 10.7%

Ekonomia July 24, 2024 - 18:13

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili në qeverinë aktuale mbulon tema të integrimit evropian, zhvillimit dhe dialogut, identifikohet më së shumti me këtë të fundit.

Të mërkurën ai ka zgjedhur të flasë për çështjen e papunësisë, derisa bashkëpartiakët e tij janë përfshirë në tema më të nxehta.

Në postimet në rrjetet sociale Bislimi, duke iu referuar disa të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka thënë se në Kosovë ka pasë një rënie “të mëtejme” të papunësisë.

“Në të dhënat më të fundit të publikuara nga ASK-ja, mbi shkallën e papunësisë në tremujorin e fundit të vitit 2023, konstatohet se ka patur një rënie të mëtejme të papunësisë nga 11.8% në të njëjtën periudhë të vitit paraprak, në 10.7%”, ka shkruar ai në Facebook.

Gjithashtu, Bislimi thotë se në tri vitet e fundit, “indikatorët ekonomikë kanë njohur përmirësime të konsiderueshme dhe rritje të shpejtë”.

“Më shumë punësim, më shumë zhvillim. Kosova është në rrugën e drejtë të zhvillimit dhe një të ardhmeje prosperuese”, shton ai, ndërsa në fund të postimit ka publikuar edhe një link të ASK-së.