A mund të bëhet Banka Zhvillimore?
I pari i Financave njoftoi se Kosovës i është hapur mundësia e krijimit të Bankës Zhvillimore, përmes fondeve nga Banka Botërore. Por një gjë e tillë po shihet si e parealizueshme dhe e panevojshme për ekonominë e tregut.
Ishte pjesë e programit qeverisës.
Por për katër vjet pothuajse nuk u përmend fare.
E kur kanë mbetur rreth tre muaj nga zgjedhjet, ministri i Financave, doli me qëndrim se Banka Zhvillimore po bëhet, përmes një mundësie që sipas tij e kishte lënë të hapur Banka Botërore.
Mirëpo ky veprim po shihet si mungesë serioziteti e qeveritarëve, bazuar në gjendjen me numra në Kuvend.
“Tani Kuvendi qe sa kohë nuk po ka kuorum për vendimmarrje, dhe duke parë këtë situatë në të cilin gjendemi tani dhe në cilën po hyjmë, ne e shohim si të parealizueshme. Bile së paku, unë si kryetar i Odës dhe po besoj që edhe një pjesë tjetër që merremi me ekonomi, kishim prit pak më shumë seriozitet nga ana e ministrit. Në qoftë se Kosova është krenare për investime të huaja kualitative, duhet me qenë në sektorin financiar. Kështu që nuk pres nga Banka Zhvillimore, nuk e kemi asnjë dokument, nuk e dimë as se qysh ka me funksionu, as kush ka me emëru atë bord, si ka me qenë ai bord. Mirëpo, duke parë ndërmarrjet publike, kam shumë rezerva sa i përket funksionializimit dhe operimit të një banke të tillë, nën kapitalin publik, me njerëzit e emëruar politkisht, lë shumë pikëpyetje. Kështu që, nuk shoh së pari të themelohet dhe e dyta, që ka me pasë ndonjë efekt”, thotë Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Madje, ka skepticizëm për nevojën e Kosovës që t’i shtohen institucionet financiare.
“Nga ana kohore kjo qeveri mandatin qeverisës tash e ka jashtëzakonisht të limitum, që edhe nga ana ligjore kjo nuk po mund t’i voton disa nga ligjet që i ka tash primare dhe që është bllokuar, e lëre më për një gjë të tillë. Aq më shumë nga ana ligjore, nga ana e ekonomisë së tregut. Vlerësoj që në këtë drejtim është prapë utopike, për faktin që në bazë të ekonomisë së tregut ekziston Banka Qendrore dhe bankat komerciale, por të krijohet një Bankë Zhvillimore nga shteti apo qeveria, në ekonomi të tregut është e parealizueshme”, shprehet ekonomisti Mustafë Kadrijaj
Sipas ministrit Murati, Banka Zhvillimore do të ketë në fokus financimin e projekteve zhvillimore dhe mbështetjen e disa sektorëve.
Me këtë deklaratë të Muratit të dielën kanë ironizuar partitë opozitare. /Teve1