Përmbaruesi apo Qeveria e Kosovës, kush i bllokon xhirollogaritë e komunave?

Përmbaruesi apo Qeveria e Kosovës, kush i bllokon xhirollogaritë e komunave?

Ekonomia October 29, 2024 - 08:04

Kontratat kolektive ka vazhduar të sjellë probleme nëpër komunat e Kosovës.

Diçka e tillë ndodhi muajin e kaluar në komunën e Vitisë.

Mësimdhënësit nuk arritën të marrin pagat për shkak të mungesës së buxhetit. Si rrjedhojë, pagat u ekzekutuan vetëm për një pjesë të punonjësve.

Situatë pothuajse identike u përsërit edhe në komunën e Suharekës.

Qeveria e Kosovës vendosi të bllokojë xhirollogarinë e komunës për shkak të detyrimeve të dala nga kontrata kolektive.

Këtu filluan polemikat.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, përmes një postimi në Facebook e cilësoi këtë situatë si shqetësuese dhe kërkoi ndërhyrjen e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se bllokimi i fondeve po ndikon drejtpërdrejt në financimin e projekteve të komunës.

I menjëhershëm ishte reagimi i Ministrit të Financave, Hekuran Murati. Ai tha se bllokimi i llogarive nuk bëhet nga qeveria, por nga përmbaruesit dhe vendimet gjyqësore të prera.

“Dezinformatat nuk kalojnë. Kushdo që pretendon se Qeveria bllokon llogari të komunave, gënjen. Qeveria nuk bllokon llogari, e aq më pak komunave. Llogaritë bllokohen nga përmbaruesit dhe vendimet e prera gjyqësore”, shkroi dje Murati.

Pas kësaj reagoi sërish Muharremaj. Ai në Teve1 ka thënë se e-maili zyrtar për bllokimin e llogarisë i ka ardhur nga Thesari i Shtetit i Ministrisë së Financave, e jo nga përmbaruesit siç ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ai ka thënë bllokimi i llogarisë bankare për shkak të kontratës kolektive është përgjegjësi e nivelit qendror dhe jo komunave.

“E-maili zyrtar ka ardhur nga thesari i Ministrisë së Financave. Ministri mundet me thanë çfarë të dojë, po unë nuk pajtona me fjalët e ministrit. Kjo çka është ka ndodhë nuk është i kryetarëve të komunave por i Qeverisë”, tha ai

Muharremaj ka thënë se kjo situatë do të paraqes problem për komunën në kryerjen e obligimeve ndaj operatorëve për projektet që janë përfunduar ose janë në përfundim për të cilat ka thënë “se nuk e di ka do t’i marrin paratë”.

Kryetari i Suharekës ka bërë thirrje të gjendet një zgjidhje, pas sipas tij me situatë të ngjashme rrezikojnë të përballen edhe komunat tjera.

Reagim për këtë bllokim pati edhe nga kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi. Ai theksoi se komunat po përballen me këto probleme për shkak të kontratave kolektive të nënshkruara nga niveli qendror, të cilat nuk po marrin përkrahje të mjaftueshme financiare nga qeveria për të mbuluar kostot e tyre.

“Kontratat kolektive janë të nënshkruara nga niveli qendror e jo nga komunat. Ka disa vite që komunat kërkojnë nga niveli qendror ta marrë përgjegjësinë financiere për mbulimin e kostos së kontratave kolektive por kjo kërkesë po hasë në veshë të shurdhër. Ky problem është diskutuar disa herë edhe me KM Albin Kurti, me Ministrin Hekuran Murati me Ministren Nagavci edhe në komisionin e granteve ku komunat po mbivotohen, por ky problem po vazhdon t’i dëmtojë komunat e Republikës së Kosovës”.

Sipas Ibrahimit, kërkesat e komunave për ndihmë financiare për zbatimin e kontratave kolektive janë injoruar për vite të tëra.

“Komunat këtë çështje e kanë adresuar edhe tek institucionet e drejtësisë, por nuk ka përgjigje. Me dhjetëra miliona euro po i merren komunave padrejtësisht nga buxhetet komunale. Po ndalen së zbatuari shumë projekte kapitale që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve”, ka thënë tutje ai.

“Komunat ashtu edhe me buxhetet e tyre të pamjaftueshme po punojnë me dinamikë të shtuar vetëm e vetëm që të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve mirëpo, në vend që Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila nuk është në gjendje që t’i shpenzojë mjetet e veta për investime kapitale ku po i teprojnë me qindra miliona euro, t’i përkrahë komunat, ajo shkon dhe ia ndalon pagat punonjësve komunal. Merrni mësim nga komunat për përgjegjshmëri ndaj qytetarit. Është me të drejtë kur shumica absolute e kryetarëve konstatojnë që komunat nuk janë duke u trajtuar me dinjitet dhe nuk po trajtohen ashtu siç e meritojnë”.

Kjo mungesë e mbështetjes financiare ka ndikuar negativisht në realizimin e projekteve kapitale në shërbim të qytetarëve dhe ka krijuar një pabarazi të dukshme në shpërndarjen e mjeteve financiare ndërmjet komunave.

“Konstatim tjetër i shumicës së kryetarëve është që ka shpërndarje të pabarabartë të mjeteve financiere që vijnë nga ministritë e ndryshme për komuna. Deri kur do të penalizohen komunat për kontrata kolektive??!! Përkundër të gjitha këtyre bllokadave dhe mos-bashkëpunimit korrekt nga niveli qendror, komunat do punojnë në të mirë të qytetarit sepse atë e kanë mision. Qeveri, Reflekto sepse edhe ata punonjës janë qytetar të Republikës së Kosovës edhe pse jetojnë në Viti”, deklaroi Ibrahimi.

Ai u bëri thirrje institucioneve qendrore që të reflektojnë mbi këtë çështje dhe të mbështesin komunat për të siguruar trajtim të drejtë dhe dinjitet të njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës.