Një vit pas ndalimit të importit nga Serbia, kreu i OEK-ut kërkon rishikim të vendimit

Një vit pas ndalimit të importit nga Serbia, kreu i OEK-ut kërkon rishikim të vendimit

Ekonomia June 14, 2024 - 14:38

Qeveria e Kosovës më 14 qershor 2023 ndaloi hyrjen e kamionëve me targa serbe dhe importin e mallrave me origjinë nga Serbia për arsye “sigurie”.

Kjo ishte përgjigje ndaj arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.

Por, kreu i Odes Ekonomike të Kosovës (OEK) thotë se vendimi duhet rishikuar.

Sipas tij, në vend nuk ka pasur rrënje të importit dhe ngritje të eksportit, meqë mallrat serbe, jo që janë zëvendësuar me prodhime vendore, por me të tilla nga vendet e tjera.

Vendimi për ndalimin e hyrjes së produkteve serbe në Kosovë, u morr për çështje sigurie një vit më parë, ndërkohë pësoi ndryshime duke lejuar hyrjen e disa produkteve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në një intervistë për Radio Dukagjinin ka kërkuar që ky vendim të rishikohet.

Rafuna që është edhe udhëheqësi i Odave të Ballkanit Perëndimor potencoi ankesat nga disa vende të BE-së se bizneset e tyre që prodhojnë në Serbi, po ankohen se kanë humbje.

Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën Petar Petkoviq tha sot se vendimi për ndalimin e produkteve serbe në Kosovë shkel të drejtat e njeriut dhe se, sipas tij, dëmi direkt për Serbinë është rreth 210 milionë euro, por ai real shumë më i madh.