Rukiqi akuzon Kurtin se po manipulon me shifrat për rritje ekonomike në Kosovë
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi ka akuzuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti duke thënë se ka manipuluar edhe gjatë intervistës së dhënë në mediumin amerikan “Bloomberg”.
Rukiqi ka thënë se në fakt gjendja e ekonomisë në vend është tejet e rëndë dhe se Kurti me qeverinë e tij nuk ka bërë asgjë që ta ndryshojë atë, raporton Zeri.info.
“Duke qene i vetedijshem per perkeqesimin e indikatoreve ekonomik (rritja ekonomike nen mesataren e viteve te pas shpalljes se pavaresise, çmimet e larta, rritja e varferise, ulja e eksporteve, miliona euro deme nga sanksionet, etj), ne vitin 2022 dhe 2023, ne dy vitet e plota te (mos) qeverisjes se tij, Kryeminstri i vendit del dhe manipulon publikisht ne kanalin prestigjioz Bloomberg, duke shtremberuar realitetin e performances se dobet te ekonomise, duke ‘zbuluar’ indikatore ekonomik qe nuk i njeh as teoria e as praktika”, thuhet në reagimin e tij.
Rukiqi thotë se Kurti nga padituria apo pamundësia për të treguar ndonjë rezultat mbledh për qindjet e rritjes ekonomike në vitet e fundit dhe i prezanton si rritje ekonomike.
“Ja si manipulon (nga padituria apo pamundesia per te treguar ndonje rezultat):
I mbledh % e rritjes ekonomike ne tri vitet e fundit dhe na e prezanton totalin (16%) si rritje ekonomike. Rritja ekonomike reale eshte krahasim i nje viti me vitin baze, e jo akumulim i % te viteve te ndryshme, e as mesatare e viteve qe na konvenojne, per te dalur rezultate me te mira”, thuhet ndër tjera në postimin e tij. /Zëri