Fejzullahu: Qytetarët s’do të paguajnë për rrymën në veri as me tarifat e reja

Fejzullahu: Qytetarët s’do të paguajnë për rrymën në veri as me tarifat e reja

Ekonomia March 30, 2023 - 11:36

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka thënë se ZRRE-ja e ka respektuar pjesën e tyre sa i përket marrëveshjes Kosovë-Serbi për energjinë.

Sipas Fejzullahut, pikat e tjera janë përgjegjësi e palëve të tjera për t’i plotësuar.

“Një prej pikave që ka qenë obligim i ZRRE-së, ne e kemi përmbushur. Ajo ka qenë dhënia e licencës konform Marrëveshjes së Brukselit. Ndërsa pikat e tjera janë obligime për palë të tjera. ZRRE-ja si palë mbështetëse në këtë rast e grupit negociator është duke i kryer obligimet e saj karshi kësaj marrëveshjeje. Ndërsa palët e tjera mbetet që t’i kryejnë obligimet siç është përcaktu në udhërrëfyes”, ka thënë ai gjatë raportimit përpara Komisionit për Ekonomi.

I pyetur se a do të paguajnë qytetarët më shtrenjtë për veriut nëse hyjnë në fuqi tarifat me rritje, Fejzullahu ka thënë se prej 2018-shit qytetarët nuk paguajnë për atë pjesë, transmeton teve1.info.

“Deri në 2018 kostoja e veriut ka qenë e përfshirë në kuadër të tarifave të konsumatorëve. Nga viti 2018 ajo kosto nuk është e përfshirë në tarifat e konsumatorëve dhe si e tillë nuk hyn. ZRRE-ja edhe sikur të don me e përfshi nuk ka të drejtë meqenëse ka një vendim të Gjykatës. Prandaj tarifat që janë të propozume për këtë vit, vitin e kalum edhe prej vitit 2018, asnjëherë, asnjë cent, asnjë kosto nuk është e përfshirë në kuadër ta kalkulimit të tarifave në kuadër të rregullatorit”, i është përgjigjur ai pyetjes së deputetit Pal Lekaj.