ATK: Bizneset online janë të obliguara të lëshojnë kuponë fiskalë
Foto: Zëri / Ilustrim

ATK: Bizneset online janë të obliguara të lëshojnë kuponë fiskalë

Ekonomia February 07, 2023 - 14:38

Administrata Tatimore e Kosovës njofton tatimpaguesit e bizneseve online se duhet të lëshojnë kuponë fiskalë.

“Kuponi fiskal është i obliguar të lëshohet edhe ne rastet kur pagesa bëhet përmes POS-it bankar ose edhe llogarisë bankare. Printimi dhe dhënia e kuponit fiskal është e obliguar në momentin e regjistrimit të furnizimit në Pajisje Elektronike Fiskale”, thuhej në njoftimin e ATK-së.

Në njoftim thuhej se për të gjitha shërbimet dhe furnizimet e mallrave online, furnizuesi e ka obligim të lëshojë kuponë fiskalë.

“Për të gjitha furnizimet e mallrave dhe/ose shërbimeve përmes internetit (online), furnizuesi obligohet të lëshojë kuponë fiskal apo faturë tatimore, varësisht nga ajo se për kënd bëhet furnizimi. Për furnizimet të cilat bëhen për konsumatorin e fundit (personin fizik jo-afarist), furnizuesi obligohet të lëshojë kuponë fiskal, ndërsa kur furnizimi bëhet për biznesin (personin fizik afarist apo personin juridik), furnizuesi obligohet të lëshojë faturë tatimore”, thuhej në njoftim.

ATK-ja tha se çdo qytetar, për të qenë në gjendje që të ushtrojë të drejtat e tij si konsumator, është e rëndësishme të njihet me detyrimet e tij, ku njëra prej tyre është marrja e kuponit fiskal.

“Duke marrë kuponin fiskal, qytetarët marrin pjesë drejtpërdrejt në ‘luftimin’ e ekonomisë së hirtë dhe në këtë mënyrë kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të shtetit dhe të shoqërisë”, thuhej në njoftim.