Rexhaj: Kurti e Murati e shpallin këtë javë vlerën e koeficientit të pagave
Foto:Laura Hasani

Rexhaj: Kurti e Murati e shpallin këtë javë vlerën e koeficientit të pagave

Ekonomia January 30, 2023 - 18:38

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, është deklaruar rreth vlerës së koeficientit për punonjësit e sektorit publik, i cili akoma vazhdon të mbetet sekret.

Kësisoj, Rexhaj tha se çështja e vlerës së koeficientit është tema më e diskutuar, pas Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

“I mirëkuptoj diskutimet. Nga ministri Murati dhe kryeministri Kurti është thënë se vlera e koeficientit do të caktohet sipas buxhetit. Ligjin të cilin e kemi kaluar e bën barazinë dhe i rrit pagat dhe është në dy sfera”, tha ai, në një intervistë për RTK-në.

Megjithatë, ai bëri të ditur se Kurti e Murati do të dalin para qytetarëve këto ditë dhe do t’ua tregojnë atyre vlerën e koeficientit.

“Ministri Murati nesër pasnesër do të del dhe do ta tregojë koeficientin. Kurti ka dashur vetë të dalë dhe t’u tregojë qytetarëve dhe atë do ta bëjë së shpejti. E kemi diskutuar, jo nuk e kemi folur koeficientin. Atë gjë do ta bëjë së shpejti. Kemi bërë kërkesë që koeficienti të jetë i kënaqshëm për qytetarët”, vijoi Rexhaj.

Sipas tij, kjo çështje merr epilog këtë javë. Sidoqoftë, më 1 shkurt zyrtarisht do të hyjë në fuqi Ligji për Paga për sektorin publik.

Ligji i Pagave në sektorin publik ishte miratuar në lexim të dytë nga Kuvendi i Kosovës më 22 dhjetor të vitit që lamë pas.