Kërkesa të mëdha për punësim, punëtorët ankohen për paga të ulëta

Kërkesa të mëdha për punësim, punëtorët ankohen për paga të ulëta

Ekonomia November 07, 2022 - 08:26

Derisa numri i nxënësve është zvogëluar, në Agjencinë e Punësimit ka kërkesa të mëdha për punësim, në profile të ndryshme. Një pjesë e madhe e tyre nuk po arrijnë të gjejnë punë. Nga Ambasada Gjermane në Kosovë tregojnë për numrin të Vizave Schengen të lëshuara për qytetarët e Kosovës përgjatë viteve 2020-2021. Por, një punëkërkues që i ka folur për RTK demanton kërkesat e punëdhënësve për pagesa të majme.

Çdo ditë është në kërkim të një pune më të mirë. I riu, i cili nuk do që ta tregojë emrin, thotë se për punën që bën në baza ditore, në fund të muajit arrin të fitojë rreth 250 euro.

“Nuk paguhem as 250 euro në muaj nuk po gjej punë kot, po proklamojnë se kompanitë kanë nevojë për punëtorë, unë nuk po gjej, është gjendje katastrofë, çfarë të bëj me aq para, me 250 euro, paguaj rrymë, internet”, i tha i riu RTK-së.

Paratë e fituara punëtori thotë se nuk i dalin as për ta kaluar muajin.

E kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se në Kosovë pagat janë shumë të ulëta. Sipas tij, kjo ndodh për shkak të paqëndrueshmërisë sociale.

“Kemi punëtor të sigurimit që sot paguhen me 130 euro sipas një sondazhi dhe të dhënave që i kemi ne, paga mesatare te sektori privat nuk e tejkalon shifrën 350 euro” , tha Azemi.

Kërkesa për punëtorë sezonalë është edhe më e madhe. Në një kompani prodhuese thonë se po ofrojnë paga të mira për punëtorët.

“Ne jemi në një vend ku po punohet me punëtor sezonal dhe nëse bënë 7 orë efektive i bënë 750euro dhe dy shujta ushqimi, nëse punon 8 ore efektive 900 euro, puna nuk është e rendë, se vet kam punu, kjo punë është e lehte, por pse po ndodhë kjo dukuri nuk kam përgjigje”, Bedri Kosumi - pronar.

Një tjetër kompani, pa dashur të identifikohet, ia ka ofruar RTK-së listën e pagave, si dëshmi që ato nisin nga 250 deri mbi njëmijë euro.

Kërkesat për punë që janë adresuar në Agjencinë e Punësimit janë të ndryshme. Numri i përgjithshëm i punëkërkuesve të regjistruar është mbi 77 mijë. Sipas gjinisë, 33 mijë e 67 janë femra dhe 39 mijë e 956 meshkuj.

Gjatë vitit, sipas profesioneve janë regjistruar mbi 10 mijë vende të lira të punës. I njëjti numër figuron edhe sipas sektorëve ekonomikë.

Në profile të ndryshme, në agjencinë e punësimit janë të regjistruara mbi 10 mijë kërkesa. Në anën tjetër, ka edhe shumë kërkesa për viza në Ambasadën Gjermane në Kosovë.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë

Viza Schengen të lëshuara në vitin 2020: 8 mijë e 51

Viza Schengen të lëshuara gjatë vitit 2021: 16 mijë e 826

Punësimi mbetet ndër sfidat kryesore të ekonomisë së Kosovës. Kjo vërtetohet për çdo vit edhe në Raportin e Progresit.