ME: Deri në 99 milionë euro humbje nga vjedhja e energjisë më 2022
Foto:Laura Hasani

ME: Deri në 99 milionë euro humbje nga vjedhja e energjisë më 2022

Ekonomia August 16, 2022 - 19:15

Deri në 99 milionë euro parasheh Ministria e Ekonomisë që të jetë kosto e vjedhjes së energjisë elektrike gjatë vitit 2022, nëse çmimi i energjisë nuk rritet më tej në bursat ndërkombëtare, apo 26 ditë pune të të dy blloqeve të Termocentralit “Kosova B”, për t’i mbuluar vjedhjet e energjisë.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për media të lëshuar nga kjo ministri, aty ku kanë treguar edhe koston e  vjedhjes për një vit më parë.

“Përdorimi i paautorizuar i energjisë elektrike, humbjet komerciale të KEDS-it, pra vjedhjet e energjisë elektrike gjatë vitit 2021, do të kushtonin deri në 110 milionë euro, nëse do të bliheshin të gjitha me çmimet e importit ose, thënë ndryshe, dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë 31 ditë në vit për t’i mbuluar vetëm vjedhjet e energjisë elektrike”. 

Nga kjo ministri kanë bërë të ditur se në situatën e krijuar me furnizim me energji elektrike, janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse të furnizimit.

“Ne jemi duke ndërmarrë masa për të dhënë ndihmën e duhur në ndërprerjen e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike, së bashku me organet ligj-zbatuese dhe kompaninë e distribuimit të energjisë elektrike, KEDS, e cila e ka për detyrë, sipas kontratës së privatizimit, që t’i ndalë ato. Këto vjedhje të energjisë elektrike, jo vetëm që janë vepra penale, sipas Kodit Penal, por, tashmë, janë një kosto e papërballueshme që duhet të paguhen nga paratë e të gjithëve nëse nuk ndalen. Kryerësit e këtyre veprave, energjinë e vjedhur e shfrytëzojnë në mënyrë joracionale, jo për nevojat bazike”, thuhet, ndër të tjera, në komunikatën e kësaj ministrie.

Nga Ministria është bërë të ditur se ditëve në vijim institucionet do të qëndrojnë në monitorim të aksioneve të KEDS-it për të ndalur vjedhjet e energjisë. Ndërkohë kanë thënë se po koordinohen masat shtesë për këtë dukuri. /Zëri