Protestë kundër ndotjes apo mbrojtje e importuesve të çimentos?

Protestë kundër ndotjes apo mbrojtje e importuesve të çimentos?

Ekonomia May 14, 2022 - 21:17

Disa qytetarë të Klinës sot kanë protestuar kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos në fshatin Dollc, që kap vlerën e 220 milionë eurove.

Ata kanë kundërshtuar ndërtimin e kësaj fabrike, sepse sipas tyre ndot ambientin, mirëpo mediat kanë raportuar se prapa kësaj proteste qëndrojnë grupe interesi të ndërlidhura me importin e çimentos në Kosovë nga vende të ndryshme të rajonit, përfshirë Serbinë.

Lidhur me këtë protest kanë reaguar edhe investitorët, të cilët thanë se kompania është e pajisur me të gjitha lejet përkatëse ndërtimore e mjedisore nga institucionet kosovare.

“Projekti në fjalë është duke u zhvilluar në bashkëpunim të plotë me kompaninë e njohur gjermane Thyssenkrupp, kompani kjo me përvojë mbi 150-vjeçare. Ky projekt do të zëvendësojë importin e çimentos, do të punësojë në mënyrë direkte afër 500 persona, ndërsa në mënyrë indirekte do të mundësojë punësimin edhe të 1,000 personave të tjerë. Projekti do të zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit me Thyssenkrupp, bashkëpunim ky që do të sigurojë implementimin e teknologjisë më moderne dhe ambientale. Projekti është i modeluar në mënyrë të tillë që fabrika e çimentos me teknologjinë që do të përdoret do të respektojë 100% të standardeve evropiane, do të ketë zero ndikim në ambientin përreth, pa emetim të gazrave, pluhurit dhe me amortizim të zhurmës”, thuhet në reagim.

Ata më tej kanë theksuar se në bashkëpunim me “Thyssenkrupp” po e zhvillon këtë projekt nga kryerja e analizave, hulumtimeve fillestare e deri tek ndërtimi dhe lëshimi në punë, duke aplikuar invocionet dhe teknologjinë e fundit bashkëkohore, proces ky që garanton fabrikën më moderne në Evropë.

“Dëmi i vërtetë do të vinte vetëm nga mosrealizimi i këtij projekti, meqë kështu punësimet nuk ndodhin, mirëmbahen çmimet e tregtarëve që importojnë, varësia nga importi vazhdon, dhe në vend të zhvillimit të Klinës dhe Kosovës, zhvillohen vendet të cilat tash e 22 vjet eksportojnë çimento në Kosovë. Mos-realizimi i këtij projekti, në vend të prodhimit vendor me standarde më të fundit evropiane, garanton vazhdimin e importit e tregtisë që dëmton ekonominë e vendit tonë dhe kështu mirëmban spekulimin me çmime që po ndodhë tash e 22 vjet. Ëallingford International Kosova është dëshmitare e përkrahjes për projektin e fabrikës nga qytetarët e Klinës dhe autoritetet qeverisëse. Ky projekt është mirëpritur, si një nga projektet kryesore që do të ndihmonte zhvillimin e Klinës dhe Kosovës dhe do të pengonte ikjen e madhe të të rinjve të këtij rajoni kosovar drejt shteteve të Perëndimit”, thuhet më tej. /Zëri