Gastronomët kërcënojnë me protesta nëse vendimi i sotëm për masat ndryshon pas 14 shkurtit

Gastronomët kërcënojnë me protesta nëse vendimi i sotëm për masat ndryshon pas 14 shkurtit

Ekonomia February 11, 2021 - 17:17

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka reaguar pasi Qeveria në detyrë ka marrë vendim për lehtësimin e masave anti-COVID duke hequr orën policore dhe duke zgjatur orarin e punës për bizneset deri në orën 22:00.

Gastronomët e kanë mirëpritur këtë vendim, ndërsa kanë kritikuar partitë politike për tubimet që po mbajnë në fushatë duke shkelur masat që ishin në fuqi.

Mirëpo, ata kanë paralajmëruar protesta në rast se vendimi i sotëm i qeverisë, ndryshon pas datës 14 shkurt, gjegjësisht pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Reagimi i plotë:

Ju njoftojmë se që nga sot, bizneset e gastronomisë në tërë territorin e Kosovës mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre deri në ora 22:00. Poashtu, nuk do të ketë kufizim të lëvizjes së personave fizik në të gjitha komunat.Ky është një lajm i mirë për zonat e ranguara me rrezik të lartë të përhapjes së virusit, përkatësisht Komunën e Prishtinës dhe Fushë Kosovës. Një lajm i mirë edhe për Kosovën, ku dijmë që roli ekonomik që ka kryeqyteti edhe për komunat tjera është shumë i rëndësishëm, ku 50-60% e tërë aktivitetit ushtrohet në të.

Sqarim: GASTRONOMËT JANË TË REVOLTUAR!

Me rastin e shkeljes së masave Anti-Covid për arsye të organizimit të tubimeve politike, dhe shfrytëzimit të hapësirave tona për qëllime të fushatave zgjedhore nga çdo parti politike, është bërë padrejtësi e madhe dhe trajtim i pabarabartë në raport me ne, ekonominë, dhe rreth 100 mijë qytetarë që rrezikojnë të mbesin të papunë në çdo industri!

Në rast se vendimi i sotëm ndryshon pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, ju njoftojmë se do të ketë organizim të protestave nga gastronomët!