Çmimet për produkte dhe shërbime më 2019-n janë ngritur për 2,7%

Çmimet për produkte dhe shërbime më 2019-n janë ngritur për 2,7%

Ekonomia May 29, 2020 - 14:31

Ngritja e çmimeve të produkteve për konsum, përdorim dhe shërbime në dikastere të ndryshme ka prekur xhepat e kosovarëve edhe në vitin 2019. Produkte ushqimore, shërbime dhe mirëmbajtje, sigurime, automjete e shumë dikastere kanë shënuar ngritje të kostos financiare.

Kështu, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma mesatare e inflacionit vjetor për vitin 2019 është ngritur për 2,7%.

Produktet e bukës, të mishit, duhani e alkooli janë vetëm disa nga produktet që janë shtrenjtuar vitin e kaluar, raporton “Zeri.info”.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni ka ndikuar që çmimet për bukë dhe drithëra janë ngritur për 11,1%, produkti i mishit është shtrenjtuar për 3,8%, perimet për 11,1%, qumështi, djathi dhe veza për 2,8%, duhani për 3,2%. ndërsa çaji e alkooli për 1,9%.

Aktualisht çmimi normal i bukës sillet nga 30-40 centë, ndërsa çmimi për kilogram i mishit të viçit në tregun kosovar sillet nga 7-8 euro.

Përpos në këto produkte, ngritje të çmimeve ka pasur edhe në dikastere tjera. Blerja e automjeteve në përgjithësi, sipas ASK-së, është shtrenjtuar për 1,4%, pashmangshmërisht kjo ka ndikuar që kostoja e përdorimit të pajisjeve për transport personal të ngrihet për 1,5%.

Ulje të çmimeve, sipas këtyre të dhënave, ka pasur për produktin e pemëve për 4,6% dhe për shërbime të transportit 3,7%.

Pas mbylljes ekonomike, ende nuk ka ndonjë pasqyrë të qartë për vitin 2020 se si do të ndikojë kjo në çmimin për produkte dhe shërbime.