1.5 milion euro për rregullimin e hyrjes së Prishtinës nga Veterniku

1.5 milion euro për rregullimin e hyrjes së Prishtinës nga Veterniku

Ekonomia May 22, 2020 - 13:04

Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me Komunën e Prishtinës, për realizimin e projekteve infrastrukturore.

Sipas një komunikate të lëshuar nga kjo ministri, bëhet e ditur se financues i këtyre projekteve është pikërisht ministria në fjalë, ndërsa vlera totale e financimit do të jetë 1.5 milion euro, përcjell “Zëri.info”.

Në këtë projekt parashihet të realizohen disa projekte në hyrjen e qytetit nga ana e Veternikut.

“Gjelbërimi dhe ndriçimi i urës në hyrje të qytetit të Prishtinës (lagjja “Veterniku”); ndërtimi i mbikalimit për këmbësorë në lagjen “Veterniku” dhe përfundimi i rrugës nacionale N2, segmenti rrugor Prishtinë – Veternik”, thuhet në njoftimin e MIA-s.

Ministria thotë se ky bashkëpunim ka për qellim ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të ministrit të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, në përfundimin dhe realizimin e projekteve për Prishtinën.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për investime në transferimin e hyrjes në Prishtinë, me kryetarin Shpend Ahmeti, po ashtu ka shpalosur detaje të tjera nga ky projekt.

“Sot bashkë me Shpendin nënshkruam Marrëveshje Bashkëpunimi për investime që do të transformojnë Hyrjen e Prishtinës. Përveç rregullimeve të nisura në atë pjesë, do të vazhdojmë me gjelbërimin masiv të rrethrrotullimit dhe ndërtimin e dy mbikalimeve për këmbësorë. I pari do të lidhë lagjet në të dy anët e rrugës. I dyti, më i rëndësishmi, do të jetë edhe simbol hyrjeje në Kryeqytet. Për të do të angazhohen palët me interes, përfshirë dhe Shoqatën e Arkitektëve të Kosovës - për t’i dhënë Kryeqytetit një simbol të ri”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se pritet shpejtë publikimi I thirrjes për dizajnimin e këtij projekti gjë e cila është mundësi e mirë për secilin inxhinier.

“Thirrja për dizajn e ide do të publikohet shpejtë. Do të jetë mundësi e mirë për secilin krijues inxhinierik të lë një shenjë.Diskutuam edhe projektet tona të përbashkëta, me theks të veçantë Rrugën A, Kolektorët si dhe zgjidhjen e shumëpritur për lidhje të rrethit të Fushë Kosovës me Lagjen Arbëri”, tha Abdixhiku./Zëri