Ja ku do t'i marrë Qeveria 30 milionë euro borxh

Ja ku do t'i marrë Qeveria 30 milionë euro borxh

Ekonomia April 07, 2020 - 11:45

Qeveria e Kosovës i ka kthyer sytë nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës – Trusti, me shpresën se do t’i sigurojë paratë për të zbatuar masat e Pakos Emergjente, që është propozuar nga Ministria e Financave.

Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, në një intervistë për gazetën “inFokus” ka konfirmuar se Trusti është njëra nga adresat kryesore për t’i siguruar këto mjete. “Ne do të emetojmë letra me vlerë, ku lusim Trustin që të bëhet pjesë e emetimit dhe të blejë një pako të letrave me vlerë”, ka thënë Bislimi.

Sipas tij, Fondi i Kursimeve Pensionale që nga fillimi ka marrë pjesë në të gjitha ankandet e letrave me vlerë të emetuara nga Qeveria e Kosovës.

Ky fond deri tani ka investuar në letra me vlerë të Qeverisë së Kosovës afër 300 milionë euro.

Ministria e Financave ka propozuar 13 masa emergjente, që përfshin një fond prej 170.6 milionë eurosh për të gjitha kategoritë shoqërore që janë prekur si pasojë e koronavirusit.