Infektuar: 1047
Shëruar: 794
Vdekur: 30
Lekaj: Bota mund të goditet nga një recesion i paimagjinueshëm

Lekaj: Bota mund të goditet nga një recesion i paimagjinueshëm

Ekonomia April 06, 2020 - 16:49
Valmire Maliqi/ Prishtinë

Paratë e tatimpaguesve kosovarë nuk i kanë shpëtuar krizës në tregjet financiare globale si pasojë e pandemisë COVID-19. Fondi i Kursimeve Pensionale për një ditë ka humbur 12.8 milionë euro në investime, teksa të dhënat e prezantuara nga Trusti tregojnë se humbja brenda 3 muajve të këtij viti llogaritet të jetë 103.3 milionë euro, shkruan “Zëri”.

Anëtari i Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike nga AAK-ja, Pal Lekaj, ka thënë për “Zërin” se situata ekonomike e krijuar në botë nga pandemia COVID-19 është një situatë e re e që sipas tij në rast se vazhdon për një kohë më të gjatë ka rrezik që bota të përballet me një recesion të paimagjinueshëm.

“Situata aktuale e krijuar nga COVID-19 është diçka e re për shumë njerëz në mbarë botën. Masat e tilla mbrojtëse, të cilat kanë ulur dukshëm ekonominë, nuk mbahen mend të kenë ndodhur ndonjëherë tjetër. Ne duhet t’u përmbahemi rregullave mbrojtëse sa më shumë, në mënyrë që ta tejkalojmë sa më parë. Duhet të përpiqemi maksimalisht që të mos lejojmë përhapjen e këtij virusi dhe të presim deri në zbulimin e vaksinës. Krejt kjo është humbje e madhe për ekonominë botërore. Nëse e gjithë kjo zgjat, atëherë bota mund të goditet nga një recesion i paimagjinueshëm. Duke vendosur masa mbrojtëse, ndërmarrjet private janë duke u ballafaquar me humbje të mëdha. Shitjet janë reduktuar, ndërsa bizneset kanë mbetur pa përkrahje”, ka thënë ai.

Për sa u përket humbjeve të fundit të shkaktuara në Trust si rezultat i pandemisë, Lekaj ka theksuar se është ende herët që të dihen shifrat e sakta të dëmeve.

“Unë besoj që për shkak që për shumë punonjës janë ndalur pagat, për ta nuk do të ketë as kontribute në fondin e pensioneve. Duhet theksuar se sa më gjatë të vazhdojë kjo pandemi, aq më keq do të bëhet. Është ende herët të dihet se sa janë shifrat e dëmeve, por pas disa javësh Qeveria duhet të bëjë llogaritjet dhe të ndërmerren masa. E rëndësishme është që këto humbje të mos ndihen te qytetarët. P.sh. të mos ulen pensionet, por të kompensohen nga shteti. Për fund, shpresojmë që fundi i kësaj pandemie të jetë afër, që të kemi sa më pak kriza financiare”, ka thënë ai./ZERI

Lexo edhe Trusti e merr teposhtën, shkak koronavirusi
Ekonomia April 06, 2020