120 mijë punëtorë mund të mos paguhen këtë muaj ose të marrin gjysmë page

120 mijë punëtorë mund të mos paguhen këtë muaj ose të marrin gjysmë page

Ekonomia March 30, 2020 - 11:50
Përhapja e koronavirusit në Kosovë ka nisur që t’i tregojë efektet e para edhe në ekonominë e vendit. Mbi 10 milionë euro në ditë është bërë e ditur se humb ekonomia e Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, gjatë një konference për media pohoi se në kosovë janë duke u shkaktuar 10 milionë euro dëme në baza ditore  për shkak të situatës së krijuar me virusin COVID-19, raporton "Zëri.info".

Sipas Rukiqit, në rast se kjo situatë zgjatë edhe tre muaj humbjet ekonomike në vend do të jenë deri në 1 miliard euro. Ndër të tjera Rukiqi theksoi se ka rënie të qarkullimit për 20% edhe në sektorin e ndërtimit dhe të prodhimit. 

“Kjo është jashtëzakonisht shumë për ekonominë tonë nëse kjo zgjat deri në 3 muaj që janë diku 1 miliard euro dëme në ekonominë e vendit”, tha ai.

Duke folur mbi propozimin e Ministrisë së Financave, që punëtorët e sektorit privat të kompensohen me nga 170 euro, Rukiqi potencoi se kjo është e pamjaftueshme, përcjell tutje "Zëri.info".

“Rritja ekonomike e parashikuar me 4.5% do të ulet 1.5%, gjendja është shumë serioze. Ne kemi kërkuar që propozimi të bëhet vendim dhe mjetet të futen menjëherë po ashtu të vinë me një pako qe nuk është emergjente, por rimëkëmbje të ekonomisë. Është një hap pozitiv, por ka nevojë të përmirësohet në disa pjesë, 170 është marr paga minimale dhe po mendoj qe kjo është e ulët dhe ne besojmë që të ketë 289 euro që pak a shumë është një mesatare ndërmjet sektorit publik. Është propozuar që 30 milionë euro të jepen për qarkullim që të merren nga bizneset, por që ato të kthehen në një afat tjetër, por kjo është një shumë e vogël dhe ne mendojmë që të jetë 100 milionë dhe afati të jetë deri në qershor të vitit të kaluar”, ka thënë ai, përcjell "Zëri".

E numri i punëtorëve që rrezikohen të mbesin pa paga ose që t`i marrin ato të përgjysmuara, sipas Rukiqi janë 120 mijë punëtorë të tillë. Ai ka shtuar se kjo është pasojë e mbylljes së bizneseve për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Te sektorët sikur ndërtimi dhe prodhimi kemi rënie të qarkullimit deri më 20%, pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë janë prekur direkt ose indirekt. Nga 240 mijë punëtorë janë 120 mijë punëtorë që janë jashtë vendeve të punës e që ose do ta marrin pagën të përgjysmuar ose nuk do ta marrin fare”, deklaroi ai gjatë konferencës./ZERI