Lamtumirë “Bechtel & Enka”, droja nga Arbitrazhi
Foto: Laura Hasani

Lamtumirë “Bechtel & Enka”, droja nga Arbitrazhi

Ekonomia March 12, 2020 - 08:11
Image

Anulimi i tenderit për konsorciumin “Bechtel & Enka” mund ta dërgojë Kosovën në Gjykatën e Arbitrazhit. Kjo drojë është shprehur nga njohësit e çështjeve ekonomike, të cilët kanë shprehur shqetësimin se buxheti i vendit mund të dëmtohet shumë rëndë në rast se kompania turke ka qenë e rregullt në procedurat e tenderimit, shkruan sot gazeta Zëri.

Javën e kaluar qeveria “Kurti” ka vendosur për ta anuluar vendimin e qeverisë “Haradinaj” për dy kyçje në një mbikalim në autostradën “Arbën Xhaferi”. Gjatë mbledhjes së Qeverisë u propozua që të mos vazhdohet edhe më tutje kontrata me konsorciumin turk. Megjithatë sipas njohësve të rrethanave ekonomike kjo çështje është parë me shqetësim, pasi në rast se kompania në fjalë ka qenë në rregull me procedurat e tenderimit, atëherë çështja mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit. Sipas tyre, në rast se ndodh një gjë e tillë, Kosova do të humbë më shumë para sesa ka qenë e paraparë shuma e kontratës.

Në ndërkohë ministri i Infrastrukturës dhe i Ambientit, Lumir Abdixhiku, duke e shtjelluar vendimin e Qeverisë për ta shkëputur kontratën me “Bechtel & Enka”-n potencoi se qëllimi është shpëtimi i 49 milionë eurove për ndërtimin e autostradës “Arbër Xhaferi”. “Kostoja e prezantuar nga ‘Bechtel & Enka’ ka vlerë prej 49.6 milionë eurosh. Kjo kontratë ende nuk është nënshkruar dhe ne si Ministri e Infrastrukturës kërkojmë që ky vendim të shfuqizohet”, tha ai.

Ai pohoi se kjo kompani për çdo muaj kërkon nga Ministria 1.18 milion euro edhe pse në mes të tyre nuk ka një marrëveshje të nënshkruar.

Lekaj: Vendimi për anulimin e kontratës, i pamatur

Vendim të pamatur dhe që shkon në dëm të qytetarëve e ka cilësuar Pal Lekaj, ministër gjatë kohës kur u nënshkrua marrëveshja me kompaninë “Bechtel & Enka”, vendimin e fundit të qeverisë “Kurti” për anulimin e kontratës për këtë kompani. “Vendimi për anulim të ndërtimit të kyçjeve dhe të mbikalimit është vendim i pamatur dhe që shkon në dëm të qytetarëve e të bizneseve të Ferizajt, të Vitisë dhe të Elez Hanit. Ato investime duhet të ndodhin me të njëjtin standard sikur edhe autostrada, ndryshe çdo lëshim mund të shkaktojë rrezik në zhvillimin e trafikut rrugor dhe rrjedhimisht rrezikim të jetës së qytetarëve”, ka thënë Lekaj për “Zërin”.

Sipas tij, Kosova nuk mund të marrë vendime arbitrare pa analiza të duhura. “Kosova nuk e ka luksin të marrë vendime arbitrare pa i bërë analizat e duhura dhe pa i gjetur zgjidhjet e alternativat. Nuk mund të thuash se shpëtuam buxhetin (duke gënjyer qytetarët me shifra imagjinare), duke marrë vendime të njëanshme. Njëjtë situatën e kanë lënë edhe në vitin 2017, duke mos ditur të menaxhojnë situatën me kontraktuesit”, ka thënë ndër të tjera Lekaj.

Ish-ministri i Infrastrukturës paralajmëroi se së shpejti do të shihen pasojat e vendimeve të pamatura të qeverisë aktuale. “Nuk e di se si do të trajtohet tutje kjo çështje nga kompania dhe nga Ministria, por rregullat janë të qarta në kontratën bazë dhe të gjitha përgjegjësitë janë mbi Qeverinë e Kosovës, e cila edhe ashtu nuk është se ka ndonjë ide se çka do të bëjë tutje. Kjo Qeveri është duke demoluar gjithçka çka është ndërtuar mirëfilli deri më tani në bashkëpunim edhe me miqtë tanë. E vërteta e vendimeve të pabazuara dhe pasojat e vendimeve të qeverisë ‘Kurti’ do të shihen shumë shpejt”, ka thënë Lekaj.

Shatri: Ankesa në Arbitrazh mund t’i sjellë më shumë dëm buxhetit

Haki Shatri, ish-këshilltar për çështje ekonomike në qeverinë “Haradinaj”, pa dashur të komentojë shumë lidhur me vendimin e marrë nga qeveria e re, i tha gazetës se është duke u manipuluar lidhur me këtë vendim. “Në këto raste secila anë është duke manipuluar me informacione dhe po mundohen ta manipulojnë opinionin. Kontratat që lidhen dhe obligimet që krijohen është bukur vështirë për t’u shmangur pa pasur parasysh se a kanë qenë çështje nacionale ose jo”, ka thënë ai.

Sipas tij, shkëputja e kontratës me një kompani ndërkombëtare mund të paraqesë problem, për shkak se një ankesë nga to mund ta dëmtojë buxhetin edhe më shumë. “Këta kanë menduar të këpusin një kontratë për arsyet e tyre. Këto ndërmarrje, kompanitë që vijnë nga jashtë dhe vendimet që merren mund të kenë pasoja, sepse një ankesë e tyre në Arbitrazh mund ta dëmtojë buxhetin shumë më shumë. Nuk po dua të them se ka qenë mirë ose keq, sepse nuk e di, por për shkak të procedurave mund të shpjerë në një situatë ku Qeveria duhet të paguajë më shumë për një vendim, i cili është ndërmarrë pa u menduar, sepse kontratat nuk ndërpriten edhe aq lehtë pa analiza”, ka thënë Shatri.

Kadrijaj: Anulimi i tenderit nuk është i domosdoshëm

Në ndërkohë njohësi i çështjeve ekonomike Mustafë Kadrijaj ka vlerësuar se në rast se gjatë procedurave të tenderimit kompania në fjalë ka qenë e rregullt, nuk është e domosdoshme anulimi i tenderit. “Nga ajo çka është parë deri më tani qeveria ‘Kurti’ vetëm dy gjëra ka ditur t’i bëjë dhe ato janë shkarkimet e anulimet dhe kjo i ka të dyja anët e medaljes. Pra nëse bëhet fjalë për ndonjë abuzim me punë është për t’u përgëzuar, por në rastin e kompanisë ‘Bechtel & Enka’ kemi të bëjmë me një kompani ndërkombëtare dhe nëse procedurat kanë qenë në rregull, e në këtë rast nëse Kosova humb në ndonjë kontekst gjyqësor vlerësoj se nuk është e domosdoshme anulimi i tenderit”, ka thënë Kadrijaj.

Sipas tij, pavarësisht se kostoja e ndërtimit të autostradës ka qenë e lartë, ai theksoi se kompania ka qenë shembull për ndërtimin e autostradave kualitative. “Jam i vetëdijshëm se kostoja ka qenë e madhe për autostrada, por njëherësh ka qenë mësim për kompanitë vendore për rritjen e cilësisë dhe realizimin e projektit duke qenë shembull për vendet e rajonit për nivelin e autostradës. Sidoqoftë këtë vendim Qeveria e ka marrë me vetëdije dhe vlerësoj se për çdo epilog i merr përgjegjësit vetë, por njëherësh duhet ta ketë të qartë kryeministri dhe koalicioni qeverisës se nuk mund të eksperimentohet me fatin e shtetit dhe qytetarit për teke të tyre”, ka thënë ai. /ZERI