BQK nuk anulon vendimin e saj për rritje të tarifave për sigurimin e automjeteve
Foto: Laura Hasani

BQK nuk anulon vendimin e saj për rritje të tarifave për sigurimin e automjeteve

Ekonomia November 21, 2019 - 11:32
Detajet

Banka Qendrore e Kosovës nuk ka anuluar vendimin për rritjen e tarifës për sigurimin e automjeteve, raporton "Zëri.info".
 

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti tha sot para mediave se ata kanë vepruar në bazë të legjislacionit në fuqi.
Sipas tij, çmimet e sigurimeve të automjeteve nuk janë ndryshuar që nga viti 2001.

"Bordi ekzekutiv ka marr një vendim për tarifat e sigurimeve. Ne po atë ditë kemi lëshuar edhe një komunikatë ku jemi munduar të tregojmë në detaje arsyet. Ne për qëllim e kemi të mbrojmë depozitarët e policë mbajtësit. Banka Qendrore ka vepruar në bazë te legjislacionit në fuqi. Çmimet aktuale të sigurimit kanë mbetur pa u ndryshuar nga viti 2001 edhe pse është kërkesë ligjore që çdo vit të bëhet rishikimi i tarifave", tha ai.

Mehmeti ka thënë se ata kanë refuzuar kërkesat e kompanive të sigurimeve që tarifat të rriten për 36 për qind.
Ai tha se kompanitë e sigurimeve në Kosovë paguajnë edhe për dëmet që shkaktohen nga aksidentet në Shqipëri. Sipas tij vetëm vitin e kaluar janë paguar mbi 400 mijë euro nga kompanitë e sigurimeve për aksidentet në Shqipëri.

"Me rishikimin e tarifave që e kemi bërë këtë vit ne e kemi shmangur një shkelje ligjore e gjithë kjo me qëllimin më të mirë që sektori i sigurimeve të kenë një qëndrim financiar. Kërkesat kanë qenë të vazhdueshme nga kompanitë e sigurimeve që kanë kërkuar që tarifa të rritet për 36 për qind. Ne e kemi refuzuar atë. Në vitin 2001 nuk kemi pasur obligime për automjetet që aksidentohen në Shqipëri. Tani dëmet që shkaktohen në Shqipëri paguhen këtu. Vetëm në vitin 2018 janë paguar 420 mije euro për automjetet tona që janë aksidentuar në Shqipëri", tha ai tutje.

Ndërsa, zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli tha se ata kanë marrë masa edhe ndaj kompanive të sigurimeve në mënyrë qe ato të kryejnë obligimet ndaj qytetarëve.

"BQK është në proces të marrjes një sërë vendimesh. Masa e parë është që të kapitalizohet industria e sigurimeve. Ne gjatë këtij viti kemi revokuar një licencë dhe nuk do të hezitojmë të revikojmë edhe licenca tjera. Ne i kemi dhënë ultimatum kompanive të sigurimeve që të zbatojnë plotësisht rregulloren për shpenzime. Qëllimi ynë është qe të arrijmëtë kemi një sektor të shëndetshëm të sigurimeve. Dhe esenca e këtyre masave është që kompanitë të mbulojnë obligimet ndaj qytetarëve dhe të mos u mbesin borxh", deklaroi ai.

Havolli tha se esenca e këtij vendimi është mbrojta e klientëve të sektorit te sigurimeve.

"Ne kemi konstatuar se është momenti qe të rritet tarifa. Çdo person mund ta konsideroj këtë të paarsyeshme por ne i ofruam një varg arsyesh. E rëndësishme është që industria e sigurimeve ka pasur një sjellje jo korrekte në të kaluarën ndaj klientëve dhe të jeni të bindur se ajo do të jetë një storie e suksesit në mandatin tim. Kjo është njëra ndër pikat e zeza të cilën synojmë ta bëjmë pjesë të suksesit", shtoi ai. /Zëri/