Francezët, mbi 100 milionë euro investime në prodhimin e energjisë

Francezët, mbi 100 milionë euro investime në prodhimin e energjisë

Ekonomia April 23, 2019 - 08:33
Lexo Detajet
Image

Më herët kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci e tani edhe ai i Vushtrrisë Xhafer Tahiri janë takuar me përfaqësues të kompanisë franceze “AkouEnergy”, si dhe me ambasadorin francez në Prishtinë Didier Chabert, të cilët kanë premtuar 100 deri në 122 milionë euro investime për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme. Projekti realizohet në Qyqavicë, ndërsa prodhohen 100 MW energji

Një projekt i madh, më i madhi në Ballkan do të realizohet së shpejti në rajonin e Qyqavicës, për komunat Vushtrri, Drenas, Skenderaj dhe Obiliq.

Një kompani franceze “AkouEnergy”, si dhe ambasadori i Francës në Prishtinë Didier Chabert u kanë premtuar kryetarit të Vushtrrisë Xhafer Tahirit dhe atij të Drenasit Ramiz Lladrovcit 100 deri në 122 milionë euro investime për një projekt të prodhimit të energjisë së ripërtëritshme.

LEXO EDHE: Inspektorati Policor kërkon të blejë 50 mijë euro një xhip luksoz

Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri ka qëndruar në Francë dhe ka vizituar kompaninë “AkouEnergy”, nga e cila ka marrë premtimin për realizimin e këtij projekti. Ai tha se për realizimin e projektit do të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë franceze “AkouEnergy”. Ai ka ripërsëritur se vlera e këtij investimi është 100 milionë euro. “Kam qëndruar në Francë dhe kam vizituar kompaninë ‘AkouEnergy’, e cila ka përgatitur projektin më të madh në Ballkan për energji të ripërtëritshme ‘Cicavica Wind Farm’.

Nga ky projekt përfituese më e madhe është komuna e Vushtrrisë, por edhe e tërë Kosova. Projekti synon të prodhojë rreth 100 MË energji elektrike nga era, mbi 100 milionë euro është vlera e investimit. Komuna jonë po ashtu përfiton nga projektet tjera përcjellëse të këtij projekti. Së shpejti do të nënshkruajmë memorandumin në Vushtrri, ndërsa si çdo projekt i madh edhe ky projekt e do kohën e duhur për t’u realizuar. Ditë të mira po vijnë për Vushtrrinë”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se tani kur ka filluar ndërtimi i zonës ekonomike Vushtrria do të zhvillohet dhe do të forcohet ekonomikisht.

Zonë me interes të veçantë

i prodhimit të energjisë së ripërtëritshme do të realizohet në Qyqavicë, pasi kryetarë e katër komunave rrëzë Qyqavicës, Skenderaj, Drenasi, Obiliqi dhe Vushtrria, si dhe ai komunës së Mitrovicës kanë nënshkruar vitin e kaluar një memorandum, me anë të të cilit Qyqavica është shpallur zonë me interes të veçantë. Investimet e para në këtë zonë mund të fillojnë së shpejti. Për realizimin e projektit për prodhimin e energjisë së ripërtërishme në Qyqavicë ka premtuar edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, gjatë një takimi me kryetarin e Drenasit Ramiz Lladrovcit pak kohë më përpara. Ai kishte siguruar se francezët do të investojnë 122 milionë euro për energjinë e ripërtëritshme. Gjatë takimit që kishin pasur me të parin e Drenasit ambasadori francez në Prishtinë Didier Chabert kishte thënë se ata kanë qenë të interesuar të investojnë në Kosovë në projekte të ngjashme, prodhimi i energjisë së ripërtëritshme (mullinjtë me erë), por kanë zgjedhur që projekti të realizohet në Qyqavicë, për shkak se ajo pjesë është shumë e përshtatshme për mullinjtë me erë, përmes së cilëve prodhohet energjia e ripërtërishme. “Kompanitë franceze janë gjithnjë të interesuara të investojnë në Kosovë, ndërsa tani një kompani dëshiron të investojë në projektin për energji të ripërtëritshme (mullinjtë me erë). Vlera e projektit është 122 milionë euro, ndërsa lokacioni ku do të zbatohet projekti është Qyqavica, në të cilin do të përfshihet edhe komuna e Vushtrrisë. Unë kam kërkuar dhe kërkoj edhe tani që t’u jepet mundësi bizneseve franceze në mënyrë që të mos shkojnë për të investuar në vende të tjera, por edhe të vijnë e të investojnë në Kosovë”, pati thënë Chabert, duke shtuar se Qyqavica është vendi më i përshtatshëm për realizimin e këtij projekti.

Zonë e turizmit

“Duhet shikuar mundësitë nëse lejohet ndërtimi i mullinjve të erës në këtë pjesë, si dhe duhet arritur pajtimi edhe me kryetarët e komunave tjera, që janë pjesë e memorandumit, pasi është menduar se përveçqë do të jetë zonë e turizmit, në këtë pjesë është menduar të ndërtohet edhe një spital rajonal i mushkërive”, ka sqaruar kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci.

Kryetarë të pesë komunave të Kosovës, Bekim Jashari (Skenderaj), Ramiz Lladrovci (Drenas), Agim Bahtiri (Mitrovicë), Xhafer Tahiri (Vushtrri) dhe Xhafer Gashi (Obiliq), kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptim vitin që shkoi, me të cilin shpallin Qyqavicën zonë me interes të përgjithshëm. Pesë komunat, ajo e Skenderajt, e Drenasit, e Mitrovicës, e Vushtrrisë dhe e Obiliqit, nënshkruan memorandum mirëkuptimi për shpalljen e zonës së Qyqavicës me interes të përgjithshëm për ta ruajtur zonën dhe për të investuar në të, në mënyrë që Qyqavica të shndërrohet në zone turistio-kulturore dhe rekreative. “Qëllimi i këtij memorandumi është shpallja e zonës së Qyqavicës me interes të përgjithshëm për të investuar në të mirën e qytetarëve. Po ashtu ky memorandum mirëkuptimi ka për qëllim që zona e Qyqavicës të shërbejë si urë lidhëse në mes të pesë komunave të lartcekura, duke përfshirë edhe tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe me gjerë. Me rastin e shpalljes së kësaj zone në interes të përgjithshëm do të krijohet një zonë turistike, rekreative, kulturore dhe biznesore, po ashtu do të bëhet dhe ruajtja e ambientit, kujdesi ndaj ujërave, si dhe e sipërfaqeve të gjelbëruara”, thuhet mes tjerash në memorandumin e nënshkruar. Memorandumi i mirëkuptimit për shpalljen e zonës së Qyqavicës me interes të përgjithshëm obligon pesë komunat të ndikojnë te Qeveria e Kosovës për të investuar në rregullimin e rrugës së gjatë 18-kilometërshe, në mënyrë që t’i lehtësojë investimet në këtë zonë./ZERI/