Inspektorati Policor kërkon të blejë 50 mijë euro një xhip luksoz

Inspektorati Policor kërkon të blejë 50 mijë euro një xhip luksoz

Ekonomia April 23, 2019 - 08:24
Lexo Detajet
Image

Inspektorati Policor i Kosovës ka shpallur tender publik për blerjen e një xhipi luksoz dhe për këtë qëllim ka paraparë të shpenzojë hiç më pak se 50 mijë euro. Në mesin e 29 specifikimeve teknike të detyrueshme timoni i automjetit, të cilin po e kërkon Inspektorati Policor, duhet të jetë nga lëkura me komandë për radio dhe për zërim, shkruan gazeta "Zëri".

Hiç më pak se 50 mijë euro pritet t’i shpenzojë Inspektorati Policor i Kosovës për blerjen e një xhipi luksoz. Në platformën elektronike të Prokurimit Publik thuhet se operatorët ekonomikë që dëshirojnë të aplikojnë në këtë proces të prokurimit duhet të kenë një autorizim nga prodhuesi, ose të dilerit që është i autorizuar nga prodhuesi, se është i autorizuar për shitjen dhe për servisimin e automjetit që ofertoni.

LEXO EDHE: Në vitin 2019, pa barna dhe pa material shpenzues

Po ashtu operatori ekonomik duhet të ketë një deklaratë të përputhshmërisë së specifikave teknike, deklaratë e ofrimit të garancive tregtare sipas prodhuesit për pjesët mekanike, elektrike, të pajisjeve elektronike, të korezionit dhe të ngjyrës.

Po ashtu sipas dosjes së tenderit OE-ja duhet të ofrojë katalogun origjinal me karakteristika teknike të prodhuesit, duke përfshirë edhe shpenzimet e karburantit të veturës së ofertuar np përputhje me direktivat e BE-së në fuqi.

Në mungesë të dokumentacionit konfiskohet garancia bankare

Po ashtu më tutje në dosjen e tenderit në fjalë thuhet se operatorët ekonomikë që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë proces të prokurimit duhet ta kenë një deklaratë të shkruar nën betim, e nënshkruar nga tenderuesi duke përdorur formën e përcaktuar në dosjen e tenderit. Po ashtu duhet ta kenë vërtetimin nga Administrata Tatimore (kopje), duhet të dorëzohet vetëm nga tenderuesi fitues para publikimit të dhënies së kontratës. “Dështimi i operatorit ekonomik që është propozuar të shpërblehet me kontratë të sjellë dokumentet e kërkuara, i jep të drejtë autoritetit kontraktues që ofertën ta refuzojë, ta bëjë konfiskimin e garancisë për sigurim të ofertës dhe të vazhdojë me shpërblim të kontratës me operatorin ekonomik që është renditur në vendin e dytë e kështu me radhë”, thuhet në dosjen e tenderit.

Aty më tutje thuhet se OE-ja po ashtu duhet të ketë një vërtetimin nga Gjykata Themelore - Departamenti për Çështje Ekonomike ose nga autoritetet administrative të vendit të themelimit të operatorit ekonomik. Më tutje në dosjen e tenderit për këtë proces prokurimi thuhet se shuma e sigurimit të tenderit është 1400 euro për një periudhë të vlefshmërisë prej 90 ditëve nga data e hapjes së këtij tenderi. “Në rast të dorëzimit të ofertës përmes platformës elektronike, sigurimi i tenderit duhet të dorëzohet i skanuar së bashku me ofertë, ndërsa forma origjinale e sigurimit të tenderit do të kërkohet të dorëzohet nga një tenderues, të cilin autoriteti kontraktues ka për qëllim ta shpërblejë me kontratë. Mosdorëzimi i formës origjinale të sigurimit të tenderit shpie në zbatimin e Nenit 99.2 të LPP-së”, thuhet në dosjen e tenderit për procesin e prokurimit të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Viti i prodhimit, 2019

Në specifikat teknike të detyrueshme, të cilat janë në dosje të tenderit, thuhet se automjeti duhet të jetë i prodhuar në vitin 2019. Po ashtu automjeti duhet të jetë “SUV 4x4 Luksoze”, të ketë pesë ulëse me tërheqje 4x4. “Kapaciteti i motorit – vëllimi i motorit: Minimum 2.9, fuqia e motorit KW: minimum 150 KW, ndërruesi i shpejtësive: automatik, karburanti: diezel, gjerësia (pa pasqyra) minimum 1800 mm, gjatësia minimum 4600 mm, norma e emetimit të gazrave: Euro 6, ngjyra e veturave: sipas porosisë, ABS, ESP, fellne alumini minimum 18, airbag – para për shoferin dhe për pasagjerin, sistem navigacioni me ekran me prekje, USB, bluetooth, sistemi i timonit: hidraulik ose elektronik, kompjuter udhëtimi dhe tempomat, pasqyrat e jashtme me rregullim elektrik, ngrohje dhe palosje elektrike, sistem klimatizimi automatik dy ose trezonal, xhamat elektrikë para dhe mbrapa, mbyllja qendrore me komande prej së largu, timon dhe marshi nga lëkura, si dhe timoni me komanda për radio dhe për zërim, sensora parkimi para dhe mbrapa, kutia e ndihmës së parë, trekëndëshi i sigurisë, zinxhirët, dritat rezervë, gomë rezervë, seti për ndërrimin e gomave, duke përfshirë pompën elektrike, çelësin, vinçin dhe kaçavidën, automjeti duhet të jetë sipas standardeve të BE-së”, janë këto specifikat teknike të detyrueshme që duhet t’i ketë automjete që po kërkon ta blejë Inspektorati Policori i Kosovës.

Më tutje po ashtu thuhet se operatori ekonomik duhet të ofrojë garanci tregtare sipas prodhuesit për pjesët mekanike, elektrike dhe pajisje elektronike - minimum 24 muaj ose 100,000 km, cila të arrin e para. “Operatori ekonomik duhet të kryejë me shpenzimet e veta servisimin e rregullt, mirëmbajtjen e rregullt, si dhe riparimet e nevojshme gjatë periudhës garantuese sipas Manualit të Përdorimit të Automjeteve. Gjithashtu operatori ekonomik gjatë periudhës garantuese ka për obligim të bëjë riparimet dhe ndërrimin e të gjitha pjesëve që janë pjesë e garancisë e të cilat nuk janë rezultat i incidenteve të trafikut ose të dëmtimeve tjera. Kjo nënkupton që në kuadër të garancisë OE-ja nuk mund të faturojë shërbimin e kryer dhe as pjesët e ndërruara. Mirëmbajtja e rregullt duhet bërë në bazë të intervaleve të shërbimit (kilometrazhin ose intervale kohe) sipas manualit të prodhuesit. Autoriteti kontraktues do të njoftojë punëtorin e autorizuar të operatorit ekonomik kur kilometrazhi i një automjeti ka arritur kilometrazhin e sugjeruar, shërbimin minus 500 km. Mirëmbajtja e rregullt – servisimi i automjetit nuk duhet të kalojë 24 orë. Rregullimi i pjesëve mekanike dhe i atyre pjesëve të trupit të automjetit që janë nën garanci duhet të kryhen brenda 5 ditëve të punës, maksimum në disa raste deri në 14 ditë që automjeti të jetë operativ”, thuhet më tutje në dosje të tenderit./ZERI/