Kthehet prodhimi në 'Trepçë'

Ekonomia January 14, 2019 - 08:56
Lexo detajet
Image

Pas ndërprerjes së grevës së minatorëve të “Trepçës”, për shkak të një marrëveshjeje me ministrin e Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, situata në minierën e Stan Tërgut është normalizuar. Minatorët hoqën dorë edhe nga dy kërkesat kryesore - ngritja e pagave 20 për qind dhe shkarkimi i Bordit Mbikëqyrës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Është kthyer prodhimi në “Trepçë” pas gati dy javë të grevës së minatorëve, të cilët fillimisht kishin kërkuar plotësimin e katër kërkesave, pastaj ato i kishin reduktuar në dy dhe në fund kanë hequr dorë edhe nga dy kërkesat e fundit dhe më kryesoret - ngritjen e pagave 20 për qind dhe shkarkimin e Bordit Mbikëqyrës.

LEXO EDHE: Agjencia Qendrore e Prokurimit shkakton dëme milionëshe me prokurime

Minatorët kanë bërë një marrëveshje me ministrin e Zhvillimit Ekonomik,Valdrin Lluka, që ata t’i kthehen punës, ndërsa Lluka si ministër do t’i plotësojë kërkesat e tyre, por jo ashtu siç minatorët kishin kërkuar.  Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, nëpërmes një njoftimi ka bërë të ditur se minatorët kanë ndërprerë grevën, duke ua premtuar kushtet që do t’ua plotësojë atyre.

“Është dëshmuar se dialogu social është forma më e mirë e zgjidhjes së problemeve me ndërmarrjet publike. Pas shumë takimeve me Këshillin Grevist të Minatorëve, Sindikatën e ‘Trepçës’ dhe Bordin e kësaj ndërmarrjeje, u dakorduam që të vazhdojë puna në miniera, për çka i jam mirënjohës kryetarit e Këshillit Grevist Ferid Nezirit dhe atij të Sindikatës së ‘Trepçës’ Shyqyri Sadikut, së bashku me kolegët e tyre të cilët kuptuan shumë qartë situatën e rëndë aktuale në ‘Trepçë’, që ka ardhur kryesisht për shkak të menaxhimit të dobët ndër vite”, ka thënë ministri Lluka në njoftim.

Lluka: “Trepça”, një ndër ndërmarrjet kryesore në vend

Ai ka siguruar se “Trepça” do të bëhet një ndër ndërmarrjet kryesore në vend dhe kjo do të shihet këtë vit, se minatorët do t’i kenë përfitimet që u takojnë dhe që janë kërkuar për shumë vite, të cilat do të trajtohen me Ligjin për Minatorët, ndër to pensionimin e hershëm dhe sigurim shëndetësor për shkak të kushteve të vështira që punojnë, që për minatorët e Artanës dhe të Kishnicës do të ketë nivelizim të pagave me ata të Stan Tërgut, duke filluar nga ky muaj, se do të ketë mbikëqyrje më të afërt nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe nga Bordi, karshi menaxhmentit rreth menaxhimit të kësaj ndërmarrjeje, se menaxhmenti do t’i ulë shpenzimet e panevojshme dhe do t’i reflektojë këto kursime në rritje të mirëqenies së minatorëve, si dhe rritja e perfomancës së “Trepçës”, e cila do të rezultojë me rritje të pagave për minatorët.

“Gjithashtu, kam dërguar kërkesë për auditim të detajuar të kësaj ndërmarrjeje tek Auditori i Përgjithshëm, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të qartë të kësaj ndërmarrjeje. Ne do të bëjmë përpjekje që në muajin shkurt të këtij viti të regjistrohet ‘Trepça’ si shoqëri aksionare dhe të shpallen pozitat menaxheriale kryesore. ‘Trepça’ do të ringjallet dhe nuk ka alternativë tjetër”, ka thënë ministri Lluka në njoftim.

Shpenzimet e mëdha

Në anën tjetër Bordi Mbikëqyrës i “Trepçës” ka dalë me një komunikatë pas një varg mbledhjesh të mbajtura, në të cilat ishte analizuar greva dhe efektet e saj në punën e minierës së Stan Tërgut. Bordi Mbikëqyrës i “Trepçës” ka vlerësuar se “Trepça” mund të funksionojë vetëm me zbatimin e ligjit. “Duke përcjellë me shqetësim të madh grevën e paparalajmëruar në ndërmarrjen ‘Trepça’, përfaqësuesit e aksionarit kryesor nga Bordi Mbikëqyrës, në mungesë të paarsyeshme të përfaqësuesit të punëtorëve, kanë mbajtur mbledhje dhe takime të shumta për të analizuar situatën e krijuar, si dhe për t’i shqyrtuar kërkesat e Këshillit Grevist.

Duke pasur parasysh situatën financiare dhe operative në të cilën gjendet ndërmarrja ‘Trepça’, Bordi Mbikëqyrës ka informuar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, si dhe institucionet relevante në Kosovë lidhur me pamundësinë e realizimit të kërkesave të parashtruara nga Këshilli Grevist i ‘Trepçës’. Në një situatë, ku shpenzimet janë më të mëdha sesa të hyrat, është më se e pamundur ngritja e pagave prej 20 për qind”, thuhet në njoftim.

Borxhe të trashëguara

Aty më tutje thuhet se për më shumë “Trepça” ka të trashëguar borxhe nga mospagesa e rentës minerale, mosshlyerja e obligimeve ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, ndaj operatorëve ekonomikë dhe obligime të tjera e që kapin vlerën prej më shumë se 12 milionë eurosh. E vetmja rrugë për të dalë nga kjo situatë, si dhe për t’i hapur rrugë zhvillimit të ndërmarrjes është zbatimi në plotsi i Ligjit për “Trepçën”.

“Duke ditur këtë Bordi Mbikëqyrës në afat rekord ka bërë propozimin e draftstatutit për të vazhduar më tutje në procedurat e parapara, mirëpo që nuk ka ndodhur për shkak të grevës së filluar në muajin korrik të vitit 2018. Kjo grevë e paarsyeshme në atë kohë ka bllokuar regjistrimin e ndërmarrjes për më shumë se 9 muaj dhe e njëjta gjë është duke ndodhur edhe tani kur statuti i ndërmarrjes ‘Trepça’ pritet të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Bordit Menaxhues të “Trepçës”, për të shtuar se, “është kërkesë e vazhdueshme zbatimi i Ligjit për ‘Trepçën’ si e vetmja formë për shpëtimin e saj nëpërmes miratimit të draftstatutit të ‘Trepçës’ sh.a. nga Kuvendi i Kosovës, regjistrimi i ndërmarrjes ‘Trepça’ sh.a., zgjedhja e Bordit Menxhues dhe e zyrtarëve të lartë të ndërmarrjes, të paraparë me Ligjin për ‘Trepçën’ me konkurs të hapur publik. Me miratimin e draftstatutit të ‘Trepçës’ sh.a. hapet rruga për regjistrimin e ndërmarrjes në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, si dhe definohet njëherë e përgjithmonë statusi i ndërmarrjes. Regjistrimi i ndërmarrjes ‘Trepça’ sh.a. në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve bën shkëputjen e ‘Trepçës’ nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, si dhe transformimin e ndërmarrjes nga ndërmarrja shoqërore në ndërmarrje shoqëri aksionare, duke i hapur rrugë krijimit të infrastrukturës ligjore, e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së pasurive, të cilat janë parakusht për rivitalizimin e ‘Trepçës’, ndërsa zgjedhja e Bordit Menaxhues dhe e zyrtarëve të lartë të ndërmarrjes, të paraparë me Ligjin për ‘Trepçën’ dhe me Ligjin për Ndërmarrje Publike, menjëherë pas regjistrimit të ‘Trepça’ sh.a., përmes konkursit publik i mundëson ndërmarrjes një menaxhim të mirëfilltë konform legjislacionit në fuqi. Si përfundim, humbjet të cilat janë shkaktuar nga greva rrezikojnë likuiditetin financiar të ndërmarrjes duke rrezikuar edhe pagat e punëtorëve”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Bordit Menaxhues të “Trepçës”, të publikuar në llogarinë e rrjetit social “Facebook” të ushtruesit të detyrës së drejtorit menaxhues të “Trepçës”, Xhevdet Tahiri.

E ndërkaq, nga njoftimi i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, për marrëveshjen e arritur me minatorët për ndërprerjen e grevës shihet qartë se këta të fundit kanë hequr dorë nga dy kërkesat kryesore, pa plotësimin e të cilave zotoheshin se nuk do ta ndërpresin grevën: rritja  e pagave 20 për qind dhe shkarkimi i Bordit Menaxhues të “Trepçës”. Siç ka mësuar “Zëri” fillimisht paga minatorëve do t’u rritet vetëm 5 për qind. /ZERI