Agjencia Qendrore e Prokurimit shkakton dëme milionëshe me prokurime

Ekonomia January 14, 2019 - 08:40
Lexo detajet
Image

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur një mal shkeljesh në raportin e auditimit të performancës në prokurimet e centralizuara, ku Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) kishte kontraktuar derivatet e naftës me çmim më të lartë sesa kishin kontraktuar institucionet e ndryshme shtetërore, shkruan sot gazeta "Zëri".

Nga një kontraktim më i shtrenjtë i çmimit të derivateve të naftës premium buxheti i shtetit vlerësohet se është dëmtuar për hiç më pak se 633 mijë euro.

“AQP-ja kishte kontraktuar çmimin e premisë për një litër karburant prej 0.055 eurosh, ndërsa kishte autoritete kontraktuese që e kishin kontraktuar premiumin me çmim më të ulët. Ne kemi gjetur se së paku katër AK e kishin çmimin e premiumit më të ulët sesa çmimi i AQP-së”, thuhet mes tjerash në raportin e ZKA-së.

LEXO EDHE: Furnizimi me barna, i pamjaftueshëm

Sipas këtij raporti, drejtoria tjetër e AQP-së kishte kontratë në fuqi me çmim premiumi prej 0.026 eurosh për litër naftë për vetura, 0.0159 euro për benzinë dhe 0.0199 euro për litër të naftës për gjenerator dhe për ngrohje.

Në anën tjetër Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) kishte kontratë për furnizim me naftë premium prej 0,0001 eurosh, që është vetëm 0,18 për qind e çmimit të kontratës së centralizuar.

“Sikur AQP-ja të kishte siguruar çmim të premiumit të njëjtë me MZHE-në, pra 0,0001 euro për litër,  ajo do të mundë të kursente 633 mijë euro dhe çmimi i kontratës do të ishte më i ulët për 99 për qind”, potencohet në raportin e Auditorit.

Auditori rekomandon se AQP-ja do të duhej të refuzojë ofertën prej afër 330,000 eurosh të operatorit ekonomik dhe të anulojë tenderin, meqë vlera e ofertës do të ishte më shumë se dy herë më e lartë sesa vlera e parashikuar e kontratës.

“Vlen të përmendet se nga ofertat e pranuara gjatë zhvillimit të procedurave, AQP-ja kishte përzgjedhur gjithmonë ofertën me çmimin më të ulët, çka do të thotë se procedurat janë zhvilluar në pajtim me Ligjin e Prokurimit Publik. Mirëpo auditimi i vlerës për para vlerëson proceset përtej ligjshmërisë”.

241 mijë euro tenderi më i shtrenjtë për furnizim me letër

Prokurimi publik është një nga fushat që merr pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit. Shpenzimet përmes prokurimit publik janë vazhdimisht në rritje. Në katër vjetët e fundit përmes prokurimit janë shpenzuar mesatarisht 497 milionë euro.

Edhe për kontratën e centralizuar të furnizimit me letër, sipas ZKA-së, AQP-ja kishte kërkuar kontratat nga vetëm shtatë autoritete kontraktuese, pra shumica e kontratave (73 kontrata) nuk ishin kërkuar fare.

Çmimi i kontratës së centralizuar të AQP-së për ris të letrës A4/80gr/m2 ishte 2,38 euro, mirëpo Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Dogana, sipas Auditorit, që janë shpenzuesit më të mëdhenj të letrës, kishin kontraktuar blerjen e këtij lloji të letrës me çmime më të ulëta

Përveç këtyre dy AK-ve që AQP-ja i kishte përdorur në analizat e tyre, ne kemi gjetur edhe dy autoritete kontraktuese tjera të cilat kishin kontratë me çmim më të ulët sesa çmimi i AQP-së, por që AQP-ja nuk i kishte konsultuar.

“Ndryshimi prej 0,15 eurosh (kontrata e Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës) do të reflektohej në vlerën e kontratës së centralizuar me zbritje prej mbi 241,000 eurosh. Pra çmimi i kontratës do të ishte më i ulët për 5,2%”. Njësoj edhe për kontratat tjera AQP-ja nuk kishte bërë një hulumtim të tregut, pra nuk kishte marrë çmime referente në bazë të të cilave do të përcaktonte vlerën e parashikuar të kontratës ose kundrejt të cilave do të vlerësonte çmimet e ofertave.

Sipas Auditorit, në tenderin për furnizim me letër janë analizuar raportet që AQP-ja kishte pranuar nga operatorët ekonomikë dhe auditorët kanë konstatuar se për 16 muaj (prej 1 korrik 2016 e deri 31 tetor 2017) të implementimit të kontratës për “Furnizim me letër” janë shpenzuar rreth 400 mijë euro, pra është realizuar më pak se 10% e vlerës së kontratës që ka qenë rreth 4.7 milionë euro. “Prej fillimit të implementimit të kontratës së centralizuar ‘Furnizim me material zyrtar’ e deri më 31.10.2017 (rreth 16 muaj) kontrata është realizuar vetëm 16% (rreth 401,000€). Për 20 muajt e mbetur të kontratës kanë mbetur të realizohen mbi 2 milionë euro, ndërsa për të arritur pragun prej 70% të vlerës së kontratës duhet të realizohen së paku edhe 1.4 milion euro”, bëhet e ditur në raport.

Tenderi milionësh për furnizim me goma, realizohet vetëm 19% e kontratës

Nga analizat që Auditori ia ka bërë raportit të kontratës “Furnizim me goma” rezulton se për 17 muaj të implementimit të kontratës AK-të kanë porositur goma në vlerë prej afër 523,000 euro, ndërsa kanë mbetur të porositen edhe mbi 2,281,000€ të cilat duhet të realizohen brenda 19 muajve të ardhshëm: “Nga tabela më lart shihet se është realizuar vetëm 19% e vlerës së kontraktuar. Kjo do të thotë se AK-të nuk e kanë shfrytëzuar mjaftueshëm kontratën dhe ekziston rreziku që të mos arrihet pragu prej 70% të vlerës së kontraktuar”.

Edhe pse AQP-ja i kishte pranuar raportet gjashtëmujore nga operatorët ekonomikë, ajo nuk kishte bërë asnjë analizë të tyre, prandaj nuk ka informacion se sa për qind e kontratës ishte realizuar deri në një moment të caktuar, as në nivel agregat e as në nivel të AK-ve. “Pra, AQP-ja nuk kishte vendosur një sistem për monitorim të kontratës në nivel të AK-ve, por e kishte vendosur sistemin për monitorim në nivel agregat, të cilin ende nuk kishte filluar ta zbatojë”./ZERI